Një qytetar ka dërguar në redaksinë tonë një video, ku duket se si një drejtuese automjeti kryen një manovër të rrezikshme në Fllakë, Durrës duke hyrë në kundërvajtje dhe ecur për më shumë se 50 metra indietro, për të dalë më pas në rrugën ku duhej të qarkullonte.
Sipas denoncuesit, gjatë kësaj manovre janë krijuar dy situata me rrezik të lartë për aksident, duke rrezikuar sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në trafik.
Në pamje dëgjohet edhe një debat mes drejtuesve të automjeteve. Njëri prej tyre i thotë drejtueses se mund t’i hiqet patenta, ndërsa ajo i përgjigjet: “Çfarë të duhet ty?”
Qytetari shprehet se, përmes publikimit të kësaj videoje, synon të ndërgjegjësojë drejtuesit e automjeteve për pasojat që mund të sjellë mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor.
“Nuk duhet të rrezikojmë jetën e të tjerëve për shkak të pakujdesisë në trafik. Një manovër e tillë mund të përfundojë me pasoja të rënda”, është mesazhi që përcjell denoncuesi.
Rasti ngre shqetësime për sigurinë në rrugë dhe nevojën për respektimin e rregullave të qarkullimit, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.