OBSH i pret shpresat për vaksinën kundër COVID-19, por Gjermania nuk dorëzohet...

OBSH i pret shpresat për vaksinën kundër…

OBSH-ja është kthyer në një organizatë që po përhap vetëm lajme pesimiste në lidhje me pandeminë e koronavirusit.

Në një kohë kur e gjithë bota është në kërkim të një vaksine kundër Covid-19, ekspertët e OBSH-së janë skeptikë.

Ata thonë se, kundër virusit Corona, nuk do të zbulohet kurrë ndonjë “kurë çudibërëse”.

Shumë gjëra janë ende të pashpjeguara në lidhje me virusin Corona.

Prandaj drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, dhe Drejtori i Emergjencave i OBSH-së, Mike Ryan, paralajmërojnë autoritetet e të gjitha vendeve që të zbatojnë me rigorozitet rregulla standarde, si mbajtja e maskave, larja e shpeshtë e duarve, mbajtja e një distance fizike dhe testime për koronën.

“Mesazhi për njerëzit dhe qeveritë është i qartë: maska duhet të bëhet “simbol i solidaritetit” në të gjithë botën”,- tha Tedros gjatë një konference për shtyp në Gjenevë.

Rruga për rikthimin në normalitet do të jetë e gjatë.

“Nuk ka garanci për vaksinë efektive”

Sipas dy ekspertëve të OBSH-së kundër virusit Corona nuk do të zbulohet kurrë ndonjë “kurë çudibërëse”.

Aktualisht janë në fazën e tretë vendimtare të zhvillimit klinik një numër vaksinash, “dhe të gjithë shpresojmë të kemi një varg vaksinash që mund të mbrojnë njerëzit nga infeksioni”,- thanë Tedros dhe Ryan.

Sidoqoftë nuk ka asnjë garanci për një vaksinë plotësisht efektive. Ndoshta vaksinat do të ofrojnë mbrojtje kundër SARS-CoV-2 vetëm për disa muaj.

Optimizëm nga Gjermania

Kurse ekspertët e Institutit “Paul Ehrlich”, që është përgjegjës për miratimin e prodhimeve mjekësore në Gjermani dhe në këtë mënyrë edhe për vaksinat e reja, mendojnë krejtësisht ndryshe.

Presidenti i këtij instituti, Prof. Dr. Klaus Cichutek, tha në televizionin publik gjerman ZDF se është i sigurt që së shpejti do të ketë një vaksinë kundër virusit Corona.

Rezultatet e para të studimeve klinike tregojnë që “disa vaksina vërtetë mund të nxisin një reagim specifik të imunitetit të njeriut ndaj SARS-CoV-2”,- tha ai.

/Burimi: DW/ Gazetaatdheu.com/

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit