OBSH ngre alarmin: “I nxehti ekstrem po përhap sëmundje të rralla dhe vdekjeprurëse!”

OBSH ngre alarmin: “I nxehti ekstrem po…

Valët e të nxehtit nuk janë më thjesht një shenjë e krizës klimatike por dhe një emergjencë e shëndetësore. Ky është paralajmërimi që vjen nga Komisioni Pan-Europian për Klimën dhe Shëndetin i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në një letër të hapur drejtuar qeverive të vendeve anëtare.

Sipas ekspertëve, kontinenti po përballet me valë të nxehta gjithnjë e më të shpeshta, më intensive dhe më vdekjeprurëse. Statistikat janë tronditëse: gjatë 20 viteve të fundit, vdekshmëria e lidhur me nxehtësinë është rritur me 30%, duke arritur mbi 100 mijë jetë të humbura. Dhe skenari për të ardhmen nuk është aspak optimist, nëse nuk merren masa urgjente kundër ndryshimeve klimatike, numri i viktimave pritet të pësojë rritje  të ndjeshme.

“Temperaturat e larta po favorizojnë përhapjen e sëmundjeve që dikur ishin të rralla në rajon”, thekson Komisioni. Vetëm në BE, rastet e etheve të transmetuara lokalisht janë rritur me 368% nga viti 2022 në 2024. Sëmundje si virusi i Nilit Perëndimor, Ethet e Verdha, Chikungunya, Gjuha Blu dhe madje rikthimi i malaries po bëhen kërcënim  për shëndetin publik.

Pasojat ndihen gjithashtu edhe brenda spitaleve. Dhomat e urgjencës raportojnë rritje të shtrimeve gjatë periudhave të nxehtësisë ekstreme, veçanërisht për probleme kardiake, respiratore dhe renale. Por ndikimi nuk ndalet këtu, nxehtësia dëmton cilësinë e gjumit, shton ankthin dhe ul aftësinë njohëse, duke e bërë edhe më të brishtë gjendjen e atyre që tashmë janë psikologjikisht të ndjeshëm.

Në vijën e parë të kësaj “krize të padukshme” janë edhe punonjësit e kujdesit shëndetësor. Ata përballen me lodhje ekstreme dhe rrezik goditjeje nga nxehtësia, ndërsa sistemet teknologjike dhe infrastrukturat nga të cilat varen nga klimatizimi tek IT-ja  janë më të ekspozuara ndaj dështimeve.

Komisioni e mbyll apelin me një mesazh të prerë: kjo është një krizë sistematike, në përshkallëzim, dhe kërkon veprim tani.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit