OBSH paralajmëron Evropën: Vala e re e të nxehtit do të sjellë temperatura rekord

OBSH paralajmëron Evropën: Vala e re e…

Një valë e re e të nxehtit ekstrem pritet të godasë jugun e Evropës gjatë ditëve në vijim, me temperaturat në Portugali dhe në jug të Spanjës që parashikohen të arrijnë deri në 43 gradë Celsius. Përballë këtij skenari, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka kërkuar rritjen e gatishmërisë dhe forcimin e masave mbrojtëse në vendet evropiane.

Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, mblodhi të hënën në një takim urgjent virtual përfaqësues të 41 vendeve, Komisionit Evropian dhe organizatave të shoqërisë civile për të analizuar pasojat e valës së fundit të të nxehtit dhe për të koordinuar reagimin ndaj temperaturave që pritet të përshkallëzohen.

Sipas Kluge, vendet që kishin përgatitur plane kombëtare për përballimin e temperaturave ekstreme reaguan më shpejt dhe arritën të mbronin më mirë qytetarët gjatë valës së të nxehtit në qershor. Megjithatë, ai paralajmëroi se më pak se gjysma e vendeve anëtare të OBSH-së në Evropë kanë ende një strategji të tillë.

Ekspertët e cilësojnë periudhën 20-28 qershor si valën më intensive të të nxehtit të regjistruar ndonjëherë në kontinent. Temperaturat rekord shkaktuan ndërprerje në furnizimin me energji, dëmtime në infrastrukturë dhe mbingarkesë të sistemeve shëndetësore në disa vende.

Shkencëtarët theksojnë se kjo situatë është pothuajse me siguri pasojë e ndryshimeve klimatike. Sipas të dhënave paraprake, rreth 3.700 vdekje shtesë janë regjistruar në Francë, Holandë dhe Belgjikë gjatë kësaj periudhe, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci mund të jetë edhe më i lartë pas përditësimit të statistikave.

Në disa rajone evropiane temperaturat kanë prekur kufirin e 40 gradëve Celsius, duke rritur ndjeshëm rrezikun për shëndetin publik. Kluge theksoi se të moshuarit që jetojnë të vetëm, banorët e qendrave të kujdesit dhe personat e pastrehë mbeten ndër kategoritë më të ekspozuara ndaj pasojave të motit ekstrem.

“Përparësia jonë është të korrigjojmë dobësitë e evidentuara gjatë javëve të fundit, përpara se të mbërrijë vala e ardhshme e të nxehtit, dhe të ndërtojmë sisteme shëndetësore që jo vetëm reagojnë ndaj krizave, por janë të përgatitura për t’i përballuar ato,” u shpreh Hans Kluge.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit