Oferta e jashtëzakonshme e Rubin Kazanit për Mirlind Dakun trondit merkaton ruse

Oferta e jashtëzakonshme e Rubin Kazanit për…

Rubin Kazani i ofron Mirlind Dakut një kontratë marramendëse deri në vitin 2029, duke e bërë një nga futbollistët më të paguar në kampionatin rus

Mirlind Daku është kthyer në një nga emrat më të lakmuar të futbollit rus. Sulmuesi 27-vjeçar i Kombëtares shqiptare ka marrë një ofertë të fuqishme nga Rubin Kazani, klubi me të cilin ka ende një vit kontratë, por që tashmë kërkon ta blindojë për afat të gjatë.

Sipas raportimeve të “Sport Baza” në Rusi, Rubin Kazan ka propozuar rinovimin e kontratës së Dakut deri në verën e vitit 2029. Oferta përfshin një pagë bazë prej 2.2 milionë eurosh në sezon, ndërsa si shpërblim besnikërie lojtari do të përfitojë edhe 1.6 milionë euro të tjera. Totali prej 3.8 milionë eurosh e pozicionon Dakun mes lojtarëve më të paguar të Premier Ligës ruse.

Kjo ofertë e fuqishme duket se ka ndikuar edhe në prishjen e bisedimeve që Daku kishte me Zenitin e Shën Petersburgut. Sulmuesi kërkonte 3 milionë euro në sezon, ndërsa Zeniti nuk shkoi përtej 2.2 milionëve. Nga ana tjetër, Rubin Kazan shfaqet si klubi që jo vetëm e dëshiron me ngulm Dakun, por edhe është gati të paguajë çmimin që ai kërkon.

Interes për shërbimet e Dakut ka pasur edhe nga jashtë Rusisë. Në janar, Cagliari nga Serie A tentoi ta afronte në skuadër, por kërkesat e larta financiare duket se e bënë klubin italian të tërhiqej. Në skenë është shfaqur edhe Arabia Saudite, ndërkohë që agjentët e sulmuesit kanë kontaktuar së fundmi edhe me Dinamon e Moskës.

Daku, i njohur për forcën fizike dhe grintën në sulm, ka arritur të tërheqë vëmendjen e shumë klubeve me paraqitjet e tij të qëndrueshme. Me një karrierë që po ngjit në mënyrë të qëndrueshme, sulmuesi shqiptar duket se po hyn në fazën më të rëndësishme të karrierës së tij.

Nga zhvillimet e fundit, është e qartë që Rubin Kazan nuk dëshiron të rrezikojë humbjen e yllit të tyre ofensiv. Me ofertën më të lartë të mundshme në tavolinë, topi tani është te Daku për të vendosur të ardhmen e tij.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit