Oferta më e lirë u la mënjanë, Yzedin Bozhaj merr 10 milionë lekë më shumë

Oferta më e lirë u la mënjanë,…

Një diferencë prej vetëm 3 pikësh në vlerësim ka mjaftuar që Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Pogradec të shpallë fituese një ofertë 10,309,871 lekë më të shtrenjtë se oferta tjetër që mbeti në garë.

Bëhet fjalë për tenderin me objekt ndërtimin e ujësjellësit në fshatrat Urakë, Kotodesh dhe Katjel, në Njësinë Administrative Rrajcë të Bashkisë Prrenjas.

Edhe pse punimet do të kryhen në territorin e Prrenjasit, procedura me numër reference 86772-05-25-2026 është zhvilluar nga Ujësjellësi Rajonal Pogradec dhe jo drejtpërdrejt nga Bashkia e Pogradecit.

Fondi limit i vendosur për këtë kontratë është 202,444,113 lekë pa TVSH, ose mbi 2 miliardë lekë të vjetra. Punimet duhet të përfundojnë brenda 12 muajve nga nisja e tyre.

Projekti parashikon ndërtimin dhe rikonstruksionin e linjave të ujësjellësit, kolektorit të “Qafë Thanës”, depove të ujit dhe rrjetit të jashtëm për tri fshatrat. Synimi i deklaruar është që banorët e zonës të furnizohen me ujë 24 orë dhe sistemi të funksionojë për të paktën 25 vjet.

Por ajo që bie në sy është mënyra se si është zgjedhur fituesi.

Në fazën përfundimtare mbetën dy oferta. Bashkimi i kompanive “Balili Konstruksion”, “Apis Construction” dhe “Avduli” kërkoi: 185,027,352 lekë pa TVSH dhe mori 271.5 pikë. Ndërsa kompania “Shëndelli” paraqiti ofertën: 195,337,223 lekë pa TVSH dhe mori 274.5 pikë.

Pra, “Shëndelli” u shpall fituese me vetëm 3 pikë më shumë, megjithëse oferta e saj ishte 10.3 milionë lekë të reja, ose mbi 103 milionë lekë të vjetra, më e shtrenjtë.

Oferta fituese përbën rreth 96.5% të fondit limit, ndërsa oferta e bashkimit “Balili Konstruksion–Apis Construction–Avduli” ishte rreth 91.4% e fondit. Zgjedhja e ofertës së dytë do të linte të pashpenzuara edhe 10.3 milionë lekë të tjera nga fondet publike.

Ligji lejon që fituesi të përcaktohet edhe në bazë të kritereve të tjera dhe jo vetëm nga çmimi më i ulët. Megjithatë, në pjesët e dokumenteve të publikuara nuk shpjegohet qartë se çfarë avantazhi konkret përfaqësonin ato 3 pikë shtesë dhe përse ato u vlerësuan më shumë se kursimi prej mbi 10 milionë lekësh.

Nga gara ishin skualifikuar më parë pesë operatorë. Mes tyre rezulton edhe bashkimi “Mela & Curri”, që sipas të dhënave të procedurës kishte paraqitur ofertën më të ulët, rreth 16.9 milionë lekë më pak se kompania fituese.

Skualifikimi i këtij bashkimi u argumentua me mungesën e pajisjeve GPS dhe me faktin se një test për cilësinë dhe sigurinë e materialeve ishte kryer nga një laborator që nuk kishte certifikimin e kërkuar për analizën konkrete.

Në dokumentin e njoftimit shfaqet edhe një tjetër mospërputhje që kërkon sqarim. Fondi limit është shënuar 202,444,113 lekë, ndërsa financimi i ndarë për vitet 2026, 2027 dhe 2028 arrin në total 198,444,113 lekë. Mes dy shifrave ekziston një diferencë prej saktësisht 4 milionë lekësh.

Kompania “Shëndelli”, e lidhur me biznesmenin Yzedin Bozhaj, është një emër i përsëritur në procedurat e prokurimit publik. Sipas të dhënave të referuara për kontratat e saj, gjatë shtatë viteve të fundit subjekti ka përfituar rreth 10 milionë euro nga fondet publike.

Në këtë rast, pyetja është e thjeshtë: Çfarë ofroi “Shëndelli” për 3 pikët shtesë, që justifikoi pagesën e mbi 10 milionë lekëve më shumë nga paratë publike?

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit