OFL “zbarkon” në Elbasan, “harron” t’i çojë formularin Sokol Sanxhaktarit, dhëndërrit të Sejdinit

OFL “zbarkon” në Elbasan, “harron” t’i çojë…

Operacioni Forca e Ligjit ka “zbarkuar” sot në Elbasan, duke vënë në shënjestër katër persona të dënuar për trafik narkotikësh dhe “Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale e grupi i strukturuar kriminal”.

Agron Mehja, Kelmend Dalipi, Eduart Haxhi e Xhiljano Xhoxhi si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. Ky është lajmi zyrtar.

Eshtë e disata herë që OFL merr “rrugën” e Elbasanit me formular në dorë, por asnjëherë nuk ka mundur të “gjejë” shtëpinë e Sokol Sanxhaktarit. Paçka se e njohin të gjithë, pasi është dhëndërri i Qazim Sejdinit, ish kreut socialist të bashkisë Elbasan.

Dhëndërri i “Lalës” në këtë qytet ka dhe biznesin e tij të punëve të pista. Madje me njërin nga personat të cilit OFL i ka dërguar sot formularin, Agron(Kamer) Mehjan ka miqësi të dyfishtë. Kanë bërë shumë punë bashkë por janë dhe krushqit.

Me sa duket OFL e ka “harruar”. Pasi deri më tani kanë kaluar rrugëve të tjera për të mbërritur tek pjestarët e fisit Çapja. Ndërsa qytetarët e Elbasanit janë në kulmin e “basteve” nëse “postieri” i OFL do të mbërrijë ndonjë ditë me formular në dorë në derën e shtëpisë së Sokol Sanxhaktarit. Ose, nëse është në “punë” ai, ta lënë “zarfin” tek Qazim Sejdini.

Mbetet mister se pse Operacioni Forca e Ligjit nuk shkon tek Sanxhaktari, kur gjithë Elbasani si dhe organet ligjzbatuese e dinë se pasuritë ai i ka vënë përmes krimit. E ka bërë gjithçka hapur madje. I kanë letrat thuajse të gatshme. Pasi që në nëntor të vitit 2017 nisi një hetim ndaj 67 familjeve të pasura në Elbasan, mes tyre edhe vajza e dhëndërri i i ish kryebashkiakut Qazim Sejdini. Akuza e ngritur ndaj tyre ishte pastrim parash. Ndaj organi i akuzës i kërkoi drejtorisë së Tatimeve në atë kohë të jepte informacion, nëse janë të regjistruar si subjekte.

Në dokumentin e organit të akuzës thuhej se: “Prokuroria ka regjistruar procedim penal për veprën penale ‘pastrim parash’ e ‘veprimtari kriminale’ ndaj për nevoja të hetimit kërkojmë informacion nëse shtetasit e mëposhtëm janë të regjistruar si subjekt tatimpagues.

Nëse po, të na dërgoni informacion të detajuar në lidhje me objektin e veprimtarisë, vendin e ushtrimit, statusin, faktin nëse është debitor në pagesat e detyrimeve fiskale, masat administrative të marra, sa aktivitete janë të regjistruar në emër të tyre, fitimet që kanë realizuar ndër vite”.

Hetimet duket se janë zgjedhur në një përmasë të paparashikuar në nisje të dosjes. Ato përfshijnë emrat më të njohur në Elbasan. Mes tyre, vajza e “Lalës”, Imelda Sejdini e bashkëshorti i saj, Sokol Sanxhaktari. Por në listë ishin dhe babai, motra e Sanxhaktarit, si dhe dhëndërri i tij, Astrit Mehja. Pra dhe Agron (Kamer) Mehja, të cilit i kanë dërguar sot formularin. Mik shtëpie dhe punësh të pista i dhëndërrit të Qazim Sejdinit. Madje ka qënë i dënuar për organizatë kriminale, prostitucion, trafik droge e armësh, me 25 vite burg.

Pikërisht njeriu me të cilin në kohën kur “Lala” ishte kryetar bashkie bashkëdrejtonte bashkë me Sokol Sanxhaktarin tenderat e bashkisë. Por dhe që kishin vënë “dorë” mbi nyjen e trafikut të drogës, prostitucionit, armëve e municioneve dhe emigrantëve që kalonin nëpër Elbasan. Paguanin “taksën” tek këta njerëz, të cilët ishin “distributori” i të gjithë këtyre aktiviteteve drejt qyteteve porte të vendit.

Por me sa duket OFL dhe këtë radhë nuk ka mundur të shkojë te shtëpia e dhëndërrit të Qazim Sejdinit, duke bërë që aksioni i kësaj njësie speciale të paraqitet para qytetarëve shumë selektiv. Këtë e thonë sëpaku qytetarët e Elbasanit, të cilët kanë shpresuar deri më tani se do të marrin më në fund frymë lirisht dhe do të shpëtojnë njëherë e mirë nga Sokol Sanxhaktari dhe banda e tij. /Pamfleti

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit