Oketa: Edhe po ta dija se përfitonte Malltezi, nuk do të ndryshoja vendim

Oketa: Edhe po ta dija se përfitonte…

Ish-ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa deklaroi në GJKKO se edhe sot do të vepronte njësoj lidhur me procedurat e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, duke theksuar se nuk do të ndryshonte qasjen e tij. Ai pranoi njohjen me Jamarbër Malltezin dhe, i pyetur nëse ishte në dijeni që dhëndri i Sali Berishës do të përfitonte nga kjo procedurë, tha se nuk i kujtohej, por shtoi se edhe nëse do ta dinte, kjo nuk do të ndikonte në vendimmarrjen e tij. Oketa ka pranuar më herët se kishte firmosur urdhrin për dorëzimin e pronës nga komanda.

Pjesë nga dëshmia në GJKKO

Enkeleda Millonai: Keni informuar ndonjë strukturë tjetër shtetërore lidhur me këtë situatë me Komandën Mbështetëse, për urdhrin e marrjes në dorëzim dhe a keni njoftuar që kishte ngecur procedura?

Gazmend Oketa: Kur kjo praktikë nuk po ecte, më është kërkuar nga Zyra e Kryeministrisë se çfarë po bëhej me këtë praktikë. Nuk më bënte çudi, sepse ishte i njëjti standard që ndiqej edhe me praktikat e tjera. Prandaj nuk më ka bërë çudi, se ai ishte standardi që ndiqej nga qeveria edhe për çështje shumë më pak të rëndësishme.

Enkeleda Millonai: I njihnit të pandehurit?

Gazmend Oketa: Begenë dhe Pustinën jo. Malltezin e kam njohur si ish-student dhe si anëtar i PD-së, ndërsa Fatmir Bektashin kam pasur një njohje deri diku në distancë, që daton nga viti 2003.

Enkeleda Millonai: Ishit në dijeni se Malltezi ishte përfitues nga këto procedura?

Gazmend Oketa: Nuk më kujtohet, por nuk do të përbënte ndryshim, edhe nëse e dija apo nuk e dija.

Enkeleda Millonai: Keni takuar Albert Xhanin?

Gazmend Oketa: Po, më kujtohet, por kur pronarët e kishin paguar vlerën. Unë isha ministër i Mbrojtjes dhe e mora detyrën në një situatë të vështirë pas tragjedisë së Gërdecit dhe Klubi Partizani nuk ishte prioritet. Kështu që e kam pritur Xhanin. Jam shumë sportdashës dhe jam përpjekur t’i mbështes. Por edhe nëse sot do të vendosesha përballë kësaj praktike, do të merrja të njëjtin vendim. Nëse nuk e merrja, mund të isha nën akuzë, sepse pronarët mund të fitonin në Strasburg dhe mund të kishte një faturë të madhe, e të vija nën akuzë pse nuk e kisha kthyer.

Enkeleda Millonai: Objektet jepeshin me koncesion me kusht që të mos ndryshohej destinacioni?

Gazmend Oketa: Ai objekt nuk ishte në planin e përhapjes.

Enkeleda Millonai: Ndonjë strukturë nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ju ka kontaktuar në lidhje me këto procedura privatizimi?

Gazmend Oketa: S’e mbaj mend kështu, që probabiliteti më i madh është jo.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit