
Është sekret publik tashmë që kompania Bankers Petroleum ka shmangur pagesën e taksave në Shqipëri përmes skemave të evazionit të sofistikuara.
Por pyetja që lind sot është e thjeshtë: A ka vullnet prokuroria të zbulojë ku përfunduan paratë e taksave të shqiptarëve?
Një nga mekanizmat përmes të cilëve, sipas burimeve, u zhdukën miliona euro ishte rrjeti i nënkontraktorëve. Hetimi duhet të ndalet mbi disa pika të qarta për të kuptuar përmasat e vjedhjes:
- Sa para ka përfituar Behar Çukaj i Bolv Oil nga kontratat me Bankers?
- Sa nga këto kontrata janë dhënë me tender të hapur dhe sa me procedura të mbyllura?
- Cila ishte diferenca mes çmimit të paguar dhe vlerës reale të prokurimit?
- Sa tatim-fitim u shmang duke zhvendosur fitimin nga Bankers (tatim 50%) tek Behar Çukaj (tatim 15%)?
Nëse këto pyetje marrin përgjigje, rruga e parave mund të çojë drejt rezidencës Tulipan, aty ku, sipas të njëjtave burime, mund të jenë fshehur miliona që i përkasin qytetarëve shqiptarë.
E njëjta skemë dyshohet të jetë përdorur me kompaninë Albstar të Sadik dhe Idajet Ismailaj.
- Sa para përfitoi Albstar nga kontratat me Bankers?
- Sa procedura tenderimi janë respektuar realisht?
- Sa ishte çmimi real krahasuar me pagesat e bëra?
- Sa taksa humbi shteti nga transferimi i fitimit nga Bankers tek Albstar?
Në fund, drejtësia duhet të ndalet edhe te Pika e Vogël e Kumbaros apo Stadiumi i Dukës, për të kërkuar kthimin e çdo qindarke të zhdukur, shkruan Kapitali.
Lista nuk mbaron këtu: “Simmons Edeco Limited” me përfaqësues Enea Nuhun, “Q. Sinaj” e Fatos dhe Qemal Sinaj, Phoenix e Isuf Berberit dhe dhjetëra kompani të tjera rezultojnë të përfshira në këtë rrjet të dyshuar evazioni, ku janë zhdukur miliona euro që duhet të ishin përdorur për shkolla, spitale dhe rrugë.
Nëse prokuroria zgjedh të hetojë seriozisht, kjo mund të jetë dosja që rikthen tek populli një pjesë të mirë të pasurisë së grabitur në heshtje.