
Departamenti amerikan i Drejtësisë zbulon një skemë të madhe mashtrimi ku IT-istë të Koresë së Veriut kanë depërtuar në më shumë se 100 kompani në SHBA përmes identiteteve të rreme dhe mashtrimeve të sofistikuara dixhitale
Departamenti amerikan i Drejtësisë (DOJ) bëri të ditur të hënën një ndërhyrje të rëndësishme ndaj aktiviteteve të fshehta financiare të Koresë së Veriut, të cilat përfshijnë infiltrimin e punëtorëve të fshehtë të IT-së në kompani teknologjike amerikane. Qëllimi kryesor i kësaj skeme ka qenë financimi i programeve bërthamore dhe grabitja e të dhënave e kriptovalutave.
Si pjesë e operacionit shumë-shtetëror të DOJ-së, autoritetet arrestuan dhe paditën shtetasin amerikan Zhenxing “Danny” Wang. Ai akuzohet për drejtimin e një skeme disavjeçare mashtrimi nga New Jersey, përmes së cilës ndihmoi IT-istë të Koresë së Veriut të punësoheshin në mënyrë të fshehtë në kompani amerikane. Skema dyshohet se ka gjeneruar mbi 5 milionë dollarë të ardhura për regjimin e Penianit.
Wang përballet me akuza për mashtrim kompjuterik, pastrim parash dhe vjedhje identiteti. Së bashku me të janë paditur edhe tetë persona të tjerë – gjashtë shtetas kinezë dhe dy tajvanezë – të cilët akuzohen për një sërë veprash përfshirë pirateri dixhitale dhe shkelje të sanksioneve ndërkombëtare.
Prokurorja Leah B. Foley deklaroi se mijëra operativë kibernetikë nga Koreja e Veriut janë trajnuar për t’u kamufluar në tregun global dixhital dhe për të goditur qëllimisht kompani amerikane. Sipas DOJ, nga viti 2021 deri në 2024, këta bashkëpunëtorë përdorën identitetet e më shumë se 80 shtetasve amerikanë për të siguruar punësim në mbi 100 kompani, duke shkaktuar dëme që llogariten në 3 milionë dollarë.
Skema përfshinte përdorimin e fermave të laptopëve brenda territorit të SHBA-së, që shërbenin si platforma të kontrolluara nga jashtë për të fshehur origjinën e vërtetë të punëtorëve. Gjithashtu, ishin përdorur pajisje si KVM (keyboard-video-mouse) për të lehtësuar manipulimin e shumë kompjuterëve njëkohësisht. DOJ shton se grupi krijoi kompani guaskë për të fshehur gjurmët dhe për të kanalizuar paratë drejt shtetit koreano-verior.
Hetimi zbuloi se disa prej IT-ve kishin aksesuar dhe vjedhur të dhëna të ndjeshme si kod burimor, përfshirë edhe nga një kontraktor mbrojtës në Kaliforni që zhvillon pajisje të bazuara në inteligjencën artificiale. FBI ndërhyri në qershor me bastisje në 21 lokacione në 14 shtete amerikane, duke sekuestruar 137 laptopë dhe pajisje të tjera të aksesit të largët.
Në kuadër të operacionit, autoritetet amerikane konfiskuan gjithashtu 21 domene në internet, 29 llogari financiare dhe mbi 70 pajisje dixhitale. Pesë shtetas koreano-veriorë u paditën për mashtrim dhe pastrim parash pasi përvetësuan mbi 900 mijë dollarë në kriptovaluta nga dy kompani të paidentifikuara, duke përdorur identitete të falsifikuara ose të vjedhura.