Operacion i rrallë në ujërat e Italisë, nxirret nga deti superjahti “Bayesian” pas 10 muajsh

Operacion i rrallë në ujërat e Italisë,…

Pas dhjetë muajsh nën ujë, superjahti “Bayesian” nxirret në sipërfaqe nga thellësitë e Porticello në Palermo, me ndihmën e vinçave gjigantë dhe operacioneve të sofistikuara teknike.

Pas gati një viti nën fundin e detit, superjahti “Bayesian” është nxjerrë në sipërfaqe në Porticello të Palermos. Mjeti luksoz 72 metra i gjatë, i cili u fundos më 19 gusht 2024, është rikthyer mbi ujë falë ndërhyrjes së vinçave gjigantë “Hebo Lift 10” dhe “Hebo Lift 2”. Operacioni është përfunduar të shtunën në mëngjes, pasi një ditë më parë u vendosën litaret për tërheqjen përfundimtare.

Pasi trupi i jahtit u soll në sipërfaqe, ekspertët filluan menjëherë zbrazjen e ujit të mbetur në brendësi, një hap i domosdoshëm për të vlerësuar gjendjen aktuale të mjetit pas qëndrimit të gjatë nën ujë. Ky proces pritet të ndihmojë edhe në përcaktimin e shkakut të mbytjes dhe në planifikimin e riparimeve të mundshme.

Rreth zonës ku po zhvillohet operacioni, janë pozicionuar mjete të shumta të Gardës Detare që po sigurojnë perimetrin dhe po kontrollojnë çdo rrjedhje të mundshme karburanti nga anija. Masat janë marrë për të parandaluar ndotjen e mëtejshme të ujërave detare.

Në vendngjarje janë të pranishëm edhe ekspertët e Agjencisë Rajonale për Mbrojtjen e Mjedisit (ARPA), të cilët po përdorin dronë me teknologji infra të kuqe për të identifikuar çdo gjurmë ndotjeje. Kjo teknologji bën të mundur kapjen edhe të sasisë më të vogël të substancave ndotëse në ujë.

Ndërkohë, në një nga motovedetat e Gardës Detare ka mbërritur prokurori Raffaele Cammarano, që po drejton hetimin për ngjarjen. Ai shoqërohet nga ushtarakë të përfshirë në hetimet paraprake, të cilët po ndjekin nga afër çdo zhvillim të operacionit.

Për të lehtësuar nxjerrjen nga uji, ishte ndërmarrë më herët edhe prerja e shtyllës së jahtit, e cila ndodhet ende në fund të detit. Kjo pjesë e madhe e strukturës pritet të nxirret gjatë së dielës në mesditë ose të hënën në mëngjes, për t’u transportuar më pas drejt portit të Termini Imerese për inspektim dhe restaurim të mëtejshëm.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit