
Pas një muaji hetime në zonën e Lekajt, zbulohen 1200 bimë narkotike dhe sekuestrohen para, armë dhe fara kanabisi
Një aksion i zhvilluar në zonën kodrinore të Lekajt, pranë Kavajës, ka çuar në arrestimin e dy personave dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve, pas zbulimit të 1200 bimëve narkotike të mbjella në tetë parcela të ndryshme.
Operacioni i koduar “Lekaj”, i cili u zhvillua pas një muaji hetimesh, u udhëhoq nga Prokuroria e Durrësit dhe u realizua nga forcat vendore të Kavajës në bashkëpunim me strukturat të DVP Durrës. Hetimi u krye përmes metodave të vëzhgimit dhe ndjekjes në terren.
Të arrestuarit janë identifikuar si Durim Mema, 59 vjeç nga fshati Lekaj, dhe Armend Hoxha, 36 vjeç nga Donofrosë e Beratit. Ndërkohë, për dy persona të tjerë, të identifikuar vetëm me inicialet R.K. dhe E.K., janë lëshuar urdhra arresti dhe kërkimi.
Në kuadër të të njëjtës goditje, janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe mjedise, ku janë gjetur e sekuestruar 20 mijë euro cash, 1000 fara kanabisi, një armë sportive, municion dhe pajisje të tjera që dyshohen të jenë përdorur për aktivitetin e paligjshëm.
Një pjesë e bimëve narkotike u sekuestrua si provë materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua në vendngjarje përmes djegies. Paraprakisht, dyshohet se aktiviteti i kultivimit ishte organizuar në mënyrë të strukturuar dhe në bashkëpunim ndërmjet disa individëve.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrjetin e përfshirë dhe për të ndaluar të kërkuarit. Ndërkohë, materialet përkatëse i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për ndjekje të mëtejshme penale.
Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme për të shpallurit në kërkim, ndërsa goditja policore shihet si pjesë e përpjekjeve për të frenuar përhapjen e kultivimit të bimëve narkotike në zonat rurale.