
Grupet kriminale shpërndanin kokainë dhe heroinë në lokale nate pranë “Bllokut”; 24 të arrestuar dhe emrat e tyre të publikuar
Një operacion i gjerë antidrogë në Tiranë ka zbuluar një rrjet të organizuar shpërndarësish të lëndëve narkotike në zemër të kryeqytetit. Autoritetet kanë ndaluar 24 persona të dyshuar për trafik dhe shitje të kokainës dhe heroinës, kryesisht në zonën e “Bllokut”, një ndër zonat më të frekuentuara të jetës së natës në qytet.
Operacioni i koduar “Blloku 33” nisi pas disa muajsh hetimesh me metoda të posaçme vëzhgimi. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se gjatë operacionit u çmontuan disa celula kriminale, të cilat kishin ngritur një skemë të mirëorganizuar shpërndarjeje të drogës në lokale nate dhe ambiente luksoze.
Mes të ndaluarve janë: Arnold Hida, Durim Gurzi, Artur Gurzi, Elvis Sejdo, Julian Bushati, Adnan Hida, Sabian Jashari, Mario Avdiaj, Geraldo Kovaçi, Albert Shushku, Emrah Mustafaj, Xhoana Rustemi (Hasani), Vladimir Qerimi, Myzafer Xhanari, Albi Shehu, Ledio Dervishi, Juljan Rabushja, Elisard Rrustaj, Kledi Sinani, Bledar Duka, Kevin Troplini, Samuel Demiri, Ardit Dervishi dhe Ledin Kazanxhi. Ndërkohë, Faik Kurti është lënë në “arrest shtëpie”.
Kontrollet në banesat e të arrestuarve dhe gjatë ndalimit të tyre zbuluan sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike. U sekuestruan rreth 1.96 kg kokainë dhe 450 gramë heroinë, dy armë zjarri, 29 telefona celularë, 6 automjete, 4 peshore elektronike dhe para në shuma të mëdha, në euro dhe lekë.
Hetimet kanë identifikuar edhe 8 shtetas të tjerë si pjesë e këtij rrjeti, të cilët janë shpallur në kërkim. Burime nga prokuroria konfirmojnë se operacioni do të zgjerohet me qëllim dokumentimin e plotë të skemës kriminale dhe ndalimin e të gjithë personave të përfshirë.
Ky aksion zbulon edhe njëherë lidhjet mes narkotrafikut dhe jetës së natës në Tiranë, duke ngritur shqetësime mbi sigurinë dhe ndikimin e kriminalitetit në zonat elitare të kryeqytetit.