Operacioni i tretë grek ekspozon oficerin dhe trafikantët shqiptarë

Operacioni i tretë grek ekspozon oficerin dhe…

Zbulohen emra të përfshirë në rrjetin ndërkombëtar të drogës dhe armëve përmes Sky ECC në operacionin e tretë të autoriteteve greke

Policia greke ka ndërmarrë një tjetër operacion të gjerë kundër grupeve të krimit të organizuar, i treti me radhë, duke u mbështetur te komunikimet e përgjuara në aplikacionin e koduar Sky ECC. Rezultatet e këtij aksioni përfshijnë arrestimin e katër personave dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve.

Në mesin e të dyshuarve ndodhet edhe një oficer i lartë i policisë greke, duke e thelluar edhe më shumë skandalin që ka përfshirë institucionet e sigurisë. Autoritetet zbuluan rolin e tij pas analizimit të komunikimeve të koduara dhe hetimeve të tjera të zhvilluara ndër vite.

Nga verifikimet në aplikacionin Sky ECC janë identifikuar disa përdorues me kode PIN që lidhen drejtpërdrejt me rrjete ndërkombëtare të trafikut të drogës dhe armëve. Komunikimet flasin për dërgesa droge drejt Greqisë dhe transaksione të paligjshme armësh.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në shtëpitë dhe automjetet e të dyshuarve, janë sekuestruar 41,365 euro para cash, gjashtë telefona celularë, një automjet që dyshohet se përdorej për trafik dhe një kartë policie që i përkiste oficerit të përfshirë, e shpallur më parë si e humbur.

Burime zyrtare konfirmojnë se oficeri 56-vjeçar, që kishte dalë në pension në dhjetor 2024 me gradën Nënkolonel A, kishte shërbyer në Shërbimin e Sigurisë së Athinës Perëndimore dhe më pas në Drejtorinë e Policisë së Athinës. Ai dyshohet se bashkëpunonte me trafikantin shqiptar Marius Diamanti.

Sipas dosjes hetimore, ish-oficeri kishte rol kyç në rrjetin e trafikut të drogës që drejtohej nga Marius Diamanti, i njohur ndryshe si Mario Diamanti, me origjinë nga Delvina. Ai akuzohet se ka ndërmjetësuar edhe për blerjen dhe shitjen e armëve, përfshirë kallashnikovë.

Marius Diamanti u ekzekutua më 16 nëntor 2021 pranë një karburanti në pronësi të tij në Nikaia, Athinë. Ai kishte një të kaluar të rëndë kriminale, duke u përfshirë në hetime për vrasje, falsifikim dokumentesh dhe trafik droge.

Emri i tij figuron edhe në hetime të mëhershme për grupe që furnizonin trafikantë me identitete të rreme në Greqi. Një nga këto identitete ishte “Stergios Maznevidis”. Në maj 2023, ai u përmend si autor i dyshuar për vrasjen e belgut Kristof Waegeman në Athinë, ndonëse ngjarja u zbardh pas vdekjes së tij.

 

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit