Opozita kërkon shtyrjen e mbledhjes së Këshillit Politik: Të diskutohet për rekomandimet e ODIHR

Opozita kërkon shtyrjen e mbledhjes së Këshillit…

Opozita e Bashkuar i është përgjigjur mazhorancës lidhur me propozimin për mbledhjen e Këshillit Politik, një ditë pas firmosjes së marrëveshjes me Opozitën Parlamentare.

Kryeministri Edi Rama kërkoi mbledhjen e Këshillit Politik sot në orën 17:00. Ndërsa Opozita e Bashkuar kërkon që mbledhja të zhvillohet ditën e nesërme në të njëjtën orë, ose të premten në orën 11:00, por me një axhendë të ndryshuar, ku nuk përmenden ndryshimet Kushtetuese. Opozita kërkon që në diskutim të përfshihen rekomandimet e OSBE/ODIHR.

PD dhe LSI, në përgjigjen dërguar përfaqësuesit të mazhorancës, Damian Gjiknuri, kërkojnë të diskutohet për shitblerjen e votës, presionin ndaj votuesve dhe administratës publike, keqpërdorimin e administratës në fushatë, paktet e fshehta me grupet kriminale, lirinë dhe fshehtësinë e votës si dhe manipulimin dhe falsifikimin e rezultateve zgjedhore.

Ndërkohë, pakti i 5 qershorit, pas marrëveshjes së arritur dje mes mazhorancës dhe Opozitës Parlamentare, pritet të miratohet nga Kuvendi gjatë seancës parlamentare të ditës së nesërme. Për votimin e kësaj marrëveshje nevojiten 84 vota.

Opozita e Bashkuar do të përfaqësohet edhe në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Politik nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, ish-deputeti Oerd Bylykbashi dhe zv/kryetari i LSI, Petrit Vasili.

PERGJIGJA E PLOTE E OPOZITES SE BASHKUAR

Përshendetje,

Në vijim të email-it më poshtë, propozojmë që mbledhja e Këshillit Politik, është e përshtatshme, të zhvillohet të enjten në orën 17:00, ose të premten ora 11:00, sipas kohës tuaj.

Në Rendin e Ditës së mbledhjes siç kemi rënë dakord në Marrëveshjen e 5 Qershorit, duhet të përfshihet vijimi i punës së Këshillit për zbatimin e pikave 11 dhe 12 të saj, ku specifikohet se:

“11. Masat shtesë: Këshilli Politik do të vazhdojë të diskutojë në mirëbesim dhe të përpiqet të arrijë zgjidhje të përbashkëta ku dhe kur është e mundur të adresohen rekomandimet kryesore të ODIHR lidhur me: (1) blerjen e votës; (2) presionin ndaj votuesve dhe administratës publike; (3) keqpërdorimin dhe abuzimin me administratën publike; (4) marrëveshjet e fshehta me grupet kriminale; (5) lirinë dhe sekretin e votës; dhe (6) manipulimin dhe falsifikimin e rezultateve zgjedhore. Në rast të mosprogresit këto propozime NUK do të ndërhyjnë apo vonojnë një marrëveshje dhe kalimin në parlament të masave të dakordësuara në pikat 1-9.

12. Hyrja në fuqi: Pikat 1, 2, 3, 7, 9, 9, 10 dhe 11 më sipër dhe dy shënimet poshtë do të hyjnë në fuqi për zgjedhjet e ardhshme (parlamentare dhe vendore). Pikat 4, 5 dhe 6 më sipër do të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve të ardhshme zgjedhore dhe parlamentare.”.

Në lidhje me ndryshimin e formatit të përbërjes së Këshillit Politik, nëse ju keni vlerësuar si të përshtatshme zgjerimin e përfaqësuesve të partive politike në Grupin e Punës së Këshillit Politik, atëherë ju bëjmë me dije se Opozita e Bashkuar do të përfaqësohet përveç nesh, edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike z. Gazment Bardhi.

Mbetemi në pritje të konfirmimit tuaj!

Oerd Bylykbashi
Petrit Vasili.

LEXO EDHE: 

Rama: Këshilli Politik mblidhet në 17:00, opozita të mos e bojkotojë

/GazetaAtdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit