Oreksi për lekë s'ka fund! Në Ksamil "vija e parë" bëhet e dytë brenda minutash

Oreksi për lekë s’ka fund! Në Ksamil…

Sezoni turistik vazhdon, por bashkë me pushuesit rikthehen edhe denoncimet për abuzimet pa fund në bregdetin shqiptar. Këtë herë në shënjestër është Plazhi i Pasqyrave, një nga destinacionet më të frekuentuara në jug të vendit, ku etja për fitim duket se ka lënë pas çdo standard.

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania, duke denoncuar një praktikë që, sipas tij, është mashtrim i pastër ndaj pushuesve.

Ai tregon se ka paguar 3 mijë lekë të rinj për një set shezlongësh në vijën e parë, me idenë se do të kishte pamjen dhe hapësirën që i ishte premtuar. Por, pak më vonë, operatorët e plazhit vendosën një rresht tjetër shezlongësh përpara tij, duke ia zhdukur menjëherë privilegjin për të cilin kishte paguar.

Pra, ajo që iu shit si “vija e parë”, brenda pak minutash u shndërrua në një rresht të zakonshëm, ndërsa biznesi vazhdoi të mbushte plazhin me shezlongë të rinj, vetëm për të arkëtuar sa më shumë para.

Qytetari e cilëson këtë një mashtrim të hapur ndaj turistëve dhe pushuesve, duke ngritur pyetjen: Pse paguhet më shtrenjtë një shërbim që nuk ofrohet?

Fenomene të tilla po dëmtojnë jo vetëm xhepin e qytetarëve, por edhe imazhin e turizmit shqiptar. Në vend që të respektohen hapësirat, rregullat dhe klientët, shumë operatorë zgjedhin të shfrytëzojnë çdo metër katror të rërës për më shumë fitim, pa u shqetësuar për cilësinë e shërbimit apo transparencën.

Ndërkohë, institucionet përgjegjëse vijojnë të mungojnë, duke lënë terren të lirë për abuzime që përsëriten verë pas vere. Pushuesit paguajnë çmime gjithnjë e më të larta, por në këmbim marrin gjithnjë e më pak. Kjo nuk është mikpritje, por një mënyrë për të zhvatur turistët në kulmin e sezonit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit