Banorë nga zona të ndryshme të vendit kanë denoncuar pranë redaksisë së JOQ Albania ndërprerje të zgjatura të energjisë elektrike, duke thënë se situata po u krijon vështirësi serioze në përditshmëri, sidomos gjatë ditëve me temperatura të larta.
Një banor nga zona e Mirakës, në Librazhd, shprehet se prej më shumë se një jave zona është pa energji elektrike. Sipas tij, situata po prek veçanërisht familjet me fëmijë, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore.
“Banorët e zonës Mirakë, Librazhd, kanë më shumë se një javë pa energji elektrike, pikërisht në kulmin e vapës. Kemi fëmijë, të moshuar dhe njerëz të sëmurë që po e vuajnë këtë situatë. Pavarësisht ankesave të shumta, ende nuk është marrë asnjë masë”, thuhet në denoncimin e mbërritur në redaksi.
Një tjetër denoncim vjen nga një banor i njësisë Shalës, në Bashkinë Cërrik, i cili thotë se prej rreth dy javësh energjia elektrike ndërpritet çdo ditë nga ora 12:00 deri në 15:00.
Sipas tij, ndërprerjet po shkaktojnë dëme ekonomike, pasi bizneset nuk arrijnë të ruajnë produktet që kërkojnë furnizim të pandërprerë me energji.
Banorët u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë sa më shpejt për zgjidhjen e problemit, duke theksuar se situata është bërë e papërballueshme në mes të sezonit të verës.
Denoncimi 1:
Përshëndetje JOQ!Ju lutem publikojeni këtë problem. Banorët e zonës Mirakë Librazhd kanë më shumë se një javë pa energji elektrike, pikërisht në kulmin e vapës. Kemi fëmijë, të moshuar dhe njerëz të sëmurë që po e vuajnë këtë situatë. Pavarësisht ankesave të shumta, ende nuk është marrë asnjë masë. Ju lutem na ndihmoni duke e bërë publik këtë rast, që institucionet përgjegjëse të reagojnë sa më shpejt. Faleminderit!
Denoncimi 2:
Përshëndetje JOQ Dua të një denoncim jam një banor i njësisë Shalës Bashkia Cerrik kemi rreth dy javë me ndërprerjen e energjis elektrike nga ora 12:00 deri në orën 3:00 ky problem na shqetëson në biznëse po na prishën produket. Ju lutë mereni në konsideratë se nuk po gjejmë zgjidhje nga istuticionet përkatse