Banorët e rreth 10 fshatrave në zonën e Njësisë Administrative Cepo, në Gjirokastër, po përballen me ndërprerje të gjata të energjisë elektrike, të cilat sipas një denoncimi të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania përsëriten prej 3-4 ditësh.
Një banor tregon se energjia elektrike ndërpritet çdo mbrëmje rreth orës 20:00 dhe rikthehet vetëm rreth orës 11:00 të paradites së ditës pasardhëse. Kjo do të thotë se banorët qëndrojnë rreth 15 orë pa energji elektrike.
Sipas denoncuesit, problemi prek zonën nga Ura e Kardhiqit deri në Zhulat, ku përfshihen rreth 10 fshatra.
Banorët shprehen të shqetësuar për këtë situatë, e cila u vështirëson jetën e përditshme, ndërsa theksojnë se nuk kanë marrë asnjë njoftim apo sqarim paraprak për ndërprerjet e përsëritura.
Ata kërkojnë ndërhyrjen e OSHEE-së për të sqaruar arsyet e këtij problemi dhe për të rikthyer furnizimin normal me energji elektrike.
JOQ Albania kërkon nga OSHEE dhe institucionet përgjegjëse të reagojnë urgjentisht, të bëjnë transparencë mbi arsyet e këtyre ndërprerjeve të zgjatura dhe të marrin masa konkrete për zgjidhjen e problemit. Banorët nuk mund të lihen çdo natë në errësirë për 15 orë, pa asnjë shpjegim se kur dhe përse do të rikthehet energjia elektrike!