Mbi 7 orë pa energji elektrike. Kjo është situata që denoncohet nga banorë të disa fshatrave të Peqinit, të cilët deklarojnë se prej orës 11:00 të paradites vijojnë të jenë pa energji.
Në një mesazh të dërguar në redaksinë e JOQ Albania, banorët bëjnë me dije se bëhet fjalë për fshatrat Hasmashaj, Gjocaj dhe Bregas, ndërsa ankohen se nuk kanë marrë një informacion të qartë se kur do të rikthehet furnizimi.
Një prej banorëve thotë se ka telefonuar personalisht OSHEE-në gjatë ditës dhe se i është komunikuar se energjia do të rikthehej, por edhe pas më shumë se 7 orësh, kjo nuk ka ndodhur.
“Hasmashaj, Gjocaj, Bregas. Unë personalisht kam telefonuar në drekë, më thanë do vijnë, por akoma jo”, shkruan qytetari.
Situata ngre sërish pikëpyetje për cilësinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike në zonat jashtë qyteteve, në një kohë kur jemi në vitin 2026 dhe qytetarëve ende u duhet të presin me orë të tëra pa ditur se kur do të rikthehet energjia.
“ Nuk është normale në 2026 të jemi 7 orë pa energji elektrike, që as nuk e dimë nëse do të vijnë sonte”, shprehet banori.
Ironia është se ministri aktual i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka drejtuar më parë vetë OSHEE Group, përpara se të merrte drejtimin e ministrisë në mars të këtij viti.
Ndërsa në deklaratat publike të këtij viti, ministria ka folur për reforma të reja dhe transformim të sektorit energjetik, për banorët e këtyre fshatrave problemi mbetet shumë më themelor: të kenë energji elektrike dhe të dinë kur do t’u rikthehet ajo.
JOQ Albania sjell denoncimin e banorëve dhe pret një sqarim nga OSHEE për shkakun e ndërprerjes dhe kohën e rikthimit të energjisë.