
Një gjykatës federal në SHBA ka refuzuar kërkesën për lirim me kusht të artistit dhe producentit të njohur Sean “Diddy” Combs, pavarësisht se ai u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda të trafikimit seksual dhe konspiracionit kriminal, të cilat mund ta kishin dënuar me burgim të përjetshëm.
Diddy u shpall fajtor nga një juri me 12 anëtarë për dy akuza të lidhura me transportimin për qëllime prostitucioni dhe aktualisht përballet me një dënim maksimal deri në 10 vite për secilën akuzë. Megjithatë, sipas udhëzimeve federale të dënimit, ai mund të përballet me një dënim më të ulët, deri në 5 vite e 3 muaj. Avokatët e Combs kanë propozuar një dënim maksimal prej 2 vitesh.
Në seancën gjyqësore të mbajtur në Manhattan, gjykatësi Arun Subramanian theksoi se provat e paraqitura gjatë gjyqit tregonin për akte të dhunshme të kryera nga Combs dhe se ai nuk kishte arritur të tregonte se nuk përbënte rrezik për komunitetin.
“Është e pamundur për të akuzuarin të provojë qartë dhe bindshëm se nuk përbën një rrezik,” u shpreh gjykatësi Subramanian.
Gjatë procesit gjyqësor shtatë-javor, prokurorët pretenduan se për një periudhë 20-vjeçare, Diddy kishte përdorur ndikimin e tij dhe burimet financiare për të detyruar dy ish-partnere, këngëtaren Cassie Ventura dhe një tjetër grua e njohur si “Jane”, të merrnin pjesë në akte të paligjshme seksuale.
Sidoqoftë, juria nuk gjeti prova të mjaftueshme që të lidhte këto veprime me trafikimin seksual, duke çuar në një vendim për pafajësi në ato akuza.
Avokatët e Combs argumentuan se marrëdhëniet ishin të ndërlikuara dhe jo të paligjshme, ndërsa viktimat kishin vepruar me dëshirë për të ruajtur lidhjen me të.
Pas vendimit, Combs u shpreh me besim në sallën e gjyqit:
“Do jem në shtëpi së shpejti. Ju dua!”
Gjykata ka sugjeruar 3 tetorin si datën për dënimin përfundimtar, megjithëse mbrojtja mund të kërkojë një datë më të hershme. Ndërkohë, Combs përballet ende me disa procese civile të ngritura ndaj tij për akte të ngjashme.
Cassie Ventura, e cila ngriti një padi kundër tij në nëntor 2023, arriti një marrëveshje një ditë më vonë për 20 milionë dollarë. Avokati i saj, Douglas Wigdor, deklaroi pas vendimit se ajo “hapi rrugën për këtë rezultat”.
Combs ka mohuar të gjitha akuzat penale dhe civile që rëndojnë ndaj tij.