Paditet Olaplex/ Pretendohet se produktet e saj shkaktojnë rënie të flokëve

Paditet Olaplex/ Pretendohet se produktet e saj…

Gratë që kërkojnë një dëmshpërblim, thonë se u janë dëmtuar shumë flokët dhe kanë pasur rënie të konsiderueshme.

Kompania e njohur e kujdesit të flokëve, Olaplex, është paditur nga 28 gra që pretendojnë se produktet e saj u kanë dëmtuar shumë flokët dhe po kërkojnë në total 75,000 dollarë dëmshpërblim.

Gama e Olaplex përfshin shampo dhe trajtime që pretendojnë se riparojnë majat e dyfishta dhe rinovojnë flokët në mënyrë të sigurt, por me sa duket për këto gra, të cilat akohen se kanë pësuar rënie të konsiderueshme të flokëve, ka ndodhur e kundërta.

Në padi thuhet se Olaplex përdor kimikate të dëmshme dhe u ka shkaktuar grave dëme fizike dhe psikologjike, raporton BBC.

“Gratë tregojnë se kanë përjetuar kruajtje, skuqje, infeksione bakteriale, djegie, plagë të hapura, dhe si rezultat, depression”, thuhet në dokumentin ligjor.

Ndërsa nga ana tjetër kompania e Olaplex ka publikuar rezultatet e trajtimeve, që tregojnë sipas tyre se produktet janë të sigurta.

“Ne jemi të përgatitur të mbrojmë me forcë kompaninë tonë, markën tonë dhe produktet tona kundër këtyre akuzave të pabaza”, thuhet në një deklaratë në Instagram.

Edhe pse ka pasur një sërë ankesash, Olaplex nuk ka tërhequr asnjë nga produktet e saj nga tregu.

E lançuar në Kaliforni në vitin 2014, Olaplex pretendon se produktet e saj, duke përdorur kiminë e patentuar, janë vërtetuar shkencërisht se rregullojnë flokët e dëmtuar. Kompania është mbështetur nga të famshëm, duke përfshirë Kim Kardashian dhe Drew Barrymore.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit