Pagoi hotelin për 3 ditë por iku nga frika! Itinerati i super-mashtruesit turk Faruk Özer

Pagoi hotelin për 3 ditë por iku…

Zhvillime të reja lidhur me vendndodhjen e Faruk Fatih Özer, themeluesi i kompanisë Thodex, në Shqipëri. Sipas mediave turke, Özer pasi ka mbërritur në Rinas është akomoduar në “Hotel Mondial”, ku pagoi për të qëndruar 3 ditë, por u largua që ditën e 2.

I kapur në panik pas përhapjes së lajmit se ai ishte kërkuar në Turqi dhe aktivizimin e Interpolit, shkoi të qëndronte në shtëpinë e shoferit që e mori nga aeroporti, tek Pazari i Ri. Por sërish lëvizi pas një gabimi që bëri! Özer, telefoni dikë dhe u largua nga banesa e shoferit me frikën se edhe kjo vendndodhje i ishte dëshifruar.

Adresa e tretë ishte Myslym Shyri. Por edhe aty nuk qëndroi gjatë me intensifikimin e operacionit dhe ndërhyrjen e policisë turke, duke u zhvendosur tek 21 Dhjetori. Por kur e kuptoi që nuk po fshihej dot, ai iku nga Tirana. Për të bëhet me dije se është brenda kufijve të Shqipërisë, duke kërkuar një tjetër cep kur të fshihet.

Përpjekjet për kapjen e Ozerit vazhdojnë në fshehtësi. Po monitorohen me kujdes pikat kufitare, pasi dyshohet se turku mund të kalojë në Greqi, Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë, Bosnje Hercegovinë, ndërsa nuk përjashtohet edhe largimi për në Itali me skaf. Ndaj Fieri, Vlora dhe Durrësi janë mbushur me kontrolle. Autoritetet turke kanë shfaqur shqetësimin se Özer mund të bashkëpunojë me mafian për të kthyer pasuritë e kriptomonedhave në para cash.

Fillimisht nga mediat turke u pretendua se Faruk Fatih Özer u arrestua në Prishtinë pak ditë më parë, por “cumhuriyet” shkruan se emri i tij nuk ishte në listën e 29 emrave turq që ishin pjesë e “listës së zezë” të Interpolit. Duke saktësuar se i riu është ende i lirë. 

I riu nga Turqia, i cili akuzohet për mashtrimin e më shumë se 400 mijë personave, ka hyrë në Shqipëri pak ditë para zgjedhjeve parlamentare dhe dyshohet se tanimë ndodhet në Kosovë. Ai dyshohet se është ndihmuar nga dy shtetas shqiptarë që gjithashtu janë në lupën e hetimeve të autoriteve turke, por nuk dihet asnjë detaj lidhur me identitetin e tyre. 

Özer themeloi kompaninë në vitin 2017 dhe lejonte përdoruesit të blejnë dhe të shesin kriptovaluta të Bitcoin, por pasi u mori investimet nuk i lejonte më që të kishin akses në platformë. Pas denoncimeve të bëra, Prokuroria nisi hetimet ndaj tij duke e shpallur në kërkim, pasi akuzohet se ka kryer veprën penale: mashtrim duke përdorur sistemet e informacionit, bankat ose institucionet financiare dhe krijimin e një organizate kriminale.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit