Një qytetar nga Pajova, në Bashkinë Peqin, i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar mungesën e ujit dhe ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike, të cilat, sipas tij, po u vështirësojnë jetesën banorëve të zonës.
Sipas denoncimit, gjatë gjithë verës banorët nuk kanë pasur furnizim me ujë, as për vaditjen e tokave bujqësore dhe as për nevojat e përditshme të familjeve.
Ndërsa gjatë dimrit, situata është rënduar edhe më shumë për shkak të ndërprerjeve të vazhdueshme të energjisë elektrike. Qytetari shprehet se prej rreth një muaji dritat kanë qenë më shumë të fikura sesa të ndezura.
“Kemi fëmijë të vegjël dhe jemi të gjithë në rrezik. Nuk kemi ku të ankohemi, pasi punonjësit e OSHEE-së nuk na përgjigjen. Ju lutemi, publikojeni shqetësimin tonë, sepse nuk dimë kujt t’i drejtohemi më”, shprehet qytetari.
Banorët kërkojnë ndërhyrjen urgjente të institucioneve përgjegjëse për të zgjidhur problemin e furnizimit me ujë dhe energji elektrike, duke kërkuar të mos lihen në harresë.