Pak ditë pas komandimit në krye të SHISH: Elvis Lila do të merret në pyetje nga SPAK?

Pak ditë pas komandimit në krye të…

Veprimtaria e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) është përfshirë nga zhvillime të bujshme hetimore. Drejtori i sapokomanduar i SHISH-it, Elvis Lila, si dhe Drejtori i Operacioneve në këtë institucion, Jurgen Kola, pritet të merren në pyetje nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) brenda ditëve të ardhshme në kuadër të një dosjeje hetimore të klasifikuar “Top Secret”, raportojnë mediat.

Sipas raportimeve të mediave, dy zyrtarët e lartë dyshohet se kanë lënë gjurmë gjatë veprimeve të tyre operativ-terrenore dhe në komunikime zyrtare, lidhur me përdorimin e mundshëm të aseteve të shërbimit sekret në dobi të grupeve kriminale.

Dyshime për fshirje të të dhënave nga serverët

Lajmi për hetimet ndaj krerëve të SHISH-it shoqërohet edhe me dyshime për ndërhyrje direkte në sistemet informatike të institucionit. Dyshohet se në zyrat e SHISH-it ka pasur përpjekje për fshirjen e të dhënave dhe provave nga kompjuterët zyrtarë. Sidoqoftë, raportohet se të dhënat mbeten të rikuperueshme përmes kopjeve të sigurisë (backup) dhe se regjistrimet në kohë reale janë të ruajtura në serverë të sigurt.

Arrestimi i Vlora Hysenit dhe lidhja me Ergys Agasin

Marrja në pyetje e drejtuesve të rinj vjen menjëherë pas arrestimit të ish-drejtoreshes së SHISH, Vlora Hyseni, e cila akuzohet si bashkëpunëtore e Ergys Agasit, i konsideruar nga hetuesit si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal të lidhur me AKSHI-n. E menjëhershme pas këtij arrestimi ishte edhe lëvizja e kryeministrit Edi Rama, i cili komandoi Elvis Lilën në krye të detyrës deri në emërimin e titullarit të ri.

Akuzat e opozitës ndaj Jurgen Kolës

Emri i drejtorit operativ, Jurgen Kola, ishte denoncuar publikisht vetëm pak ditë më parë, më 23 shtator, nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Në një dalje për mediat, Berisha e cilësoi Kolën si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit.

Sipas deklaratave të Berishës, takimet mes Hysenit dhe Agasit zhvilloheshin në një lokal në pronësi të Kolës në zonën e Bërzhitës. Kryetari i opozitës pretendon se kamerat e sigurisë së këtij lokali janë fshirë qëllimisht për të fshehur provat e takimeve, ndërsa u bëri thirrje publike hetuesve të SPAK-ut të verifikojnë pasuritë e tij në Arbanë dhe të hetojnë rolin e tij në këtë dosje.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit