
Ministri i Mbrojtjes i Pakistanit, Khawaja Asif, ka lëshuar një paralajmërim të fortë se ekziston një rrezik i vërtetë për shpërthimin e një lufte bërthamore me Indinë, nëse tensionet mes dy vendeve vijojnë të përshkallëzohen.
Në një intervistë për kanalin pakistanez Geo News të mërkurën mbrëma, Asif deklaroi se kërcënimi është “i qartë dhe i pranishëm”, duke shtuar se rajoni mund të përballet sërish me një përplasje strategjike.
“Pakistani është përballur edhe më parë me kërcënime të tilla dhe situata mund të kthehet sërish në prag të një përplasjeje serioze,” tha ai.
Deklaratat vijnë pas një sulmi të Indisë ndaj Pakistanit me një breshëri raketash — përplasja më e rëndë mes dy shteteve të armatosura bërthamorë në më shumë se 20 vite.
“E kemi thënë prej dy javësh që nuk do të jemi ne ata që nisim ndonjë veprim armiqësor ndaj Indisë. Por nëse India na sulmon, do të përgjigjemi,” tha Asif.
Ndërkohë, autoritetet pakistaneze njoftuan se të enjten kishin rrëzuar 25 drone indiane që kishin shkelur hapësirën ajrore të vendit. Nga ana tjetër, India deklaroi se kishte “neutralizuar” përpjekjet e Pakistanit për të goditur objektiva ushtarake me drone dhe raketa.
Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të tensionuara që nga pavarësia nga Britania në vitin 1947, duke përfshirë tre luftëra dhe përplasje të panumërta. Të dyja shtetet siguruan armë bërthamore në vitet ’90.
Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë thirrje për ndalimin e dhunës, duke e quajtur konfliktin që po përshkallëzohet si “jashtëzakonisht të tmerrshëm”.
“Unë kam marrëdhënie të mira me të dyja palët. I njoh mirë të dy vendet dhe dua që ta zgjidhin mes tyre. Nëse mund të ndihmoj në diçka, jam i gatshëm,” tha Trump.