Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në zonën e Fanit, në Mirditë, ku janë përfshirë gjashtë të mitur, të gjithë kushërinj me njëri-tjetrin. Sipas informacioneve paraprake, automjeti dyshohet se drejtohej nga një 16-vjeçar, i cili kishte marrë makinën dhe, për shkaqe që ende nuk janë sqaruar, ka humbur kontrollin e mjetit duke u përplasur me një shtyllë ndriçimi. Si pasojë e goditjes së fortë, të gjashtë të miturit mbetën të plagosur.
Burimet paraprake bëjnë me dije se një vajzë 12-vjeçare dyshohet se ka pësuar thyerje të legenit, ndërsa dy të mitur të tjerë kanë marrë fraktura në duar dhe këmbë. Edhe katër fëmijët e tjerë kanë pësuar dëmtime të ndryshme dhe janë transportuar fillimisht për ndihmë mjekësore, ndërsa më pas u dërguan drejt spitaleve në Tiranë për trajtim më të specializuar. Për transportimin e tyre u angazhuan gjashtë autoambulanca.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë efektivët e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët nisën veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Deri tani nuk ka një njoftim zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të të miturve, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet e sakta të ngjarjes.