Pamje spektakolare në Greqi, rrëkeja e ujit ngrihet mbi det para stuhisë

Pamje spektakolare në Greqi, rrëkeja e ujit…

Një fenomen i pazakontë atmosferik është shfaqur në ishujt Ciklade të Greqisë, ku një kolonë uji u formua në detin mes Mykonos dhe Naxos, ndërsa re të dendura e të errëta mbuluan qiellin. Pamjet u filmuan nga kamerat e Mykonos Live TV, duke kapur momentin kur rrëkeja e ujit ngrihej mbi sipërfaqen e detit, duke krijuar një pamje mbresëlënëse.

Shfaqja e fenomenit vjen në prag të përkeqësimit të motit në rajonin e Egjeut. Sipas buletinit të Shërbimit Meteorologjik Helenik, të martën, më 13 tetor, dhe të mërkurën, më 14 tetor, në ishujt Ciklade priten reshje shiu dhe stuhi lokale. Të mërkurën, fenomenet mund të jenë lokalisht të forta, ndërsa erërat verilindore pritet të forcohen, duke arritur deri në 8 ballë në shkallën Beaufort dhe lokalisht deri në 9 ballë në detin Egje.

Kushtet e paqëndrueshme atmosferike pritet të vijojnë edhe të enjten, më 15 tetor, me vranësira dhe reshje lokale në zonat lindore dhe jugore të Greqisë. Erërat në Egje parashikohen të fryjnë me intensitet 6 deri në 7 ballë, ndërsa në disa zona mund të arrijnë deri në 8 ballë. Autoritetet meteorologjike paralajmërojnë për mot të paqëndrueshëm, që mund të ndikojë edhe në lundrimin detar në rajon.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit