Pamjet e atentatit në Fier, autorët kalojnë para banesës së viktimave pak para ekzekutimit

Pamjet e atentatit në Fier, autorët kalojnë…

Pamjet filmike kanë fiksuar lëvizjet e autorëve të dyshuar për vrasjen e dyfishtë të ndodhur një ditë më parë në Fier, ku mbetën të vrarë Selami Hasani dhe nipi i tij, Jakup Hasani. Në video shihet automjeti tip “Volvo”, me ngjyrë të bardhë, duke kaluar pranë banesës së viktimave. Pak minuta pas atentatit, makina u gjet e shkrumbuar në zonën e rrethrrotullimit të Ndërmenasit.

Nga të dhënat paraprake të hetimit, dyshohet se në ngjarje janë përdorur dy armë zjarri pistoleta me silenciator. Dy prej personave dyshohet se kanë qenë autorët e të shtënave, ndërsa një tjetër ka drejtuar automjetin që është përdorur për largimin nga vendi i krimit.

Në momentin e sulmit, Selami Hasani dhe nipi i tij, Jakup Hasani, ndodheshin në oborrin e banesës, ku po punonin tokën. Në vendngjarje janë gjetur të paktën 10 gëzhoja të kalibrit 9 mm. Sipas informacioneve paraprake, Jakup Hasani është qëlluar me tre plumba, ndërsa Selami Hasani ka marrë të paktën pesë të shtëna.

Një nga pistat që po verifikohen nga hetuesit lidhet me mënyrën se si autorët kanë mundur të hyjnë në lagjen “1 Maji” pa tërhequr vëmendjen. Dyshohet se ata mund të kenë qenë të maskuar dhe të veshur me uniforma që ngjanin me ato të policisë. Megjithatë, ky version nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.

Zona ku ndodhi atentati konsiderohet një prej lagjeve me interes për grupet kriminale, për shkak të konflikteve dhe përplasjeve të mëparshme mes grupeve rivale. Pavarësisht pranisë së kamerave të sigurisë në këtë zonë, autorët dyshohet se kanë vepruar në mënyrë të organizuar, duke përdorur armë me silenciator për të shmangur zhurmën dhe për të pasur më shumë kohë për t’u larguar.

Ndërkohë, hetuesit po verifikojnë edhe dyshimet se viktimat mund të jenë mbajtur nën vëzhgim përpara atentatit, përfshirë mundësinë e përdorimit të një droni për të monitoruar lëvizjet e tyre. Sipas kësaj piste, autorët mund të kenë pritur momentin kur Selami Hasani ka dalë në oborrin e banesës për të ndërmarrë sulmin.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes, identitetin e personave të përfshirë dhe motivet që çuan në këtë vrasje të dyfishtë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit