Pamjet e atentatit në Sarandë, autori me dy armë dhe skafandër në kokë

Pamjet e atentatit në Sarandë, autori me…

Artan Myrtaj, 44 vjeç, i njohur në Sarandë me nofkën “Tani i Ruzhdiut”, u ekzekutua mëngjesin e 20 shtatorit në zonën e ish-Agjencisë, një prej kryqëzimeve të frekuentuara të qytetit.

Myrtaj kishte ndaluar për të pirë një kafe në një lokal pranë kryqëzimit, pasi ishte ftuar nga një mik. Sipas dëshmive të mbledhura në vendngjarje, ai qëndroi vetëm për pak minuta dhe më pas u ngrit për t’u larguar.

Në momentin që doli nga lokali, një motor me dy persona, të dy me skafandra, iu afrua. Autorët hapën zjarr ndaj 44-vjeçarit, por plumbat e parë nuk e prekën. Myrtaj tentoi të largohej me vrap, por vetëm disa metra më tej u qëllua sërish dhe mbeti i vdekur në vend.

Pamjet e kamerave të sigurisë kanë fiksuar lëvizjet e njërit prej autorëve. Ai shfaqet i veshur me një xhup të gjelbër, pantallona të zeza dhe skafandër. Sipas të dhënave të hetimit, autori ka përdorur dy armë zjarri. Fillimisht ka qëlluar me një pistoletë me silenciator, e cila dyshohet se është bllokuar, dhe më pas ka përdorur armën tjetër, të cilën e mbante në dorën e djathtë.

Një dëshmitar ka treguar momentet para atentatit:

“Ai piu kafe se e ftoi dikush këtu. U ul, piu kafe dhe i tha shokut që e kishte ftuar se do të ikte. Pas rreth pesë metrash, erdhën dhe bënë goditjen e parë. Ai e kuptoi dhe iku me vrap. Ata e sulmuan.”

Nga breshëria e plumbave mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit, 73-vjeçari Xhevdet Skëndaj. Ai u qëllua në shpinë, ndonëse nuk kishte lidhje me viktimën apo ngjarjen. I moshuari u transportua me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për të marrë trajtimin mjekësor.

Autorët u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes me motor. Ngjarja ndodhi vetëm rreth 70 metra larg komisariatit të Policisë së Sarandës, ndërsa sipas informacioneve të raportuara, shërbimet e policisë mbërritën rreth 10 minuta më vonë. Në zonë u gjetën disa gëzhoja të shpërndara në rrugë.

Rreth një orë pas atentatit, Policia njoftoi ngritjen e pikave të kontrollit në akset rrugore që lidhin Sarandën me Vlorën dhe Gjirokastrën, ndërsa autorët ende nuk janë identifikuar.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ndodhi rreth orës 09:55 në zonën e ish-Agjencisë. Policia konfirmoi vrasjen e një 44-vjeçari dhe plagosjen e një 73-vjeçari, ndërsa bëri me dije se vijon puna për kapjen e autorëve.

Hetimet fokusohen te një ngjarje e vitit të kaluar

Një prej pistave kryesore të hetimit lidhet me një ngjarje të ndodhur në Sarandë gjatë vitit të kaluar. Artan Myrtaj ishte liruar nga burgu vetëm pak javë para vrasjes dhe ndodhej nën masën e detyrimit për paraqitje.

Ai ishte arrestuar në korrik të vitit 2025 në lidhje me një episod ku Ramadan Zoto plagosi dy të rinj nga Kamza, pas një konflikti që lidhej me çështje pronësie në zonën e bregdetit.

Pas këtij episodi, në Sarandë u shënua një seri ngjarjesh të tjera kriminale, mes tyre shpërthimi me tritol i automjetit të Klaus Jaçajt, vrasja e babait të tij, Isuf Jaçaj, si dhe djegia e një lokali në Ksamil që ishte marrë me qira nga Ramadan Zoto.

Hetuesit po verifikojnë nëse vrasja e Artan Myrtajt ka lidhje me këtë seri konfliktesh të mëparshme.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit