Pamjet e kamerave zbardhin krimin në Shkodër/ 62-vjeçari merr armën, vret gruan dhe pret i qetë policinë

Pamjet e kamerave zbardhin krimin në Shkodër/…

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e rëndë që tronditi Shkodrën, ku 62-vjeçari Shtjefën Zici dyshohet se ekzekutoi bashkëshorten e tij, 55-vjeçaren Bardhe Zici.

Sipas hetimeve, kamerat e sigurisë të sekuestruara nga policia kanë fiksuar të gjithë dinamikën e ngjarjes. Në pamje shihet 62-vjeçari duke ecur qetësisht drejt armës së gjahut, të cilën e merr pa shfaqur shenja nervozizmi. Më pas ai afrohet te dera kryesore e oborrit, e hap dhe kontrollon nëse po kalon ndonjë person, përpara se të hyjë në banesë.

Brenda banesës, ai dyshohet se ka qëlluar për vdekje bashkëshorten e tij. Pas krimit, Shtjefën Zici nuk ka tentuar të arratiset, por ka qëndruar në vendngjarje duke pritur mbërritjen e policisë.

Nga hetimet paraprake rezulton se motivi i krimit lidhet me xhelozinë. Sipas informacionit të deritanishëm, para ngjarjes ka rënë telefoni i viktimës, por ende nuk është konfirmuar se kush e ka telefonuar, nëse kanë qenë fëmijët e çiftit, djali që jeton në Kanada, vajza, apo të afërm të tjerë. Dyshohet se kjo ka shkaktuar reagimin fatal të 62-vjeçarit.

Krimi ndodhi pasditen e djeshme në banesën e familjes Zici, në zonën e Unazës Lindore të qytetit të Shkodrës.

Ndaj Shtjefën Zicit është ngritur akuza për “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, vepër penale që parashikon edhe dënimin me burgim të përjetshëm.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit