Pamjet e tmerrit nga masakra me 6 viktima dhe 16 të plagosur në Poloni

Pamjet e tmerrit nga masakra me 6…

Është rënduar bilanci i viktimave nga masakra në Krakov të Polonisë, ku tashmë raportohet për 6 persona të vrarë dhe 16 të plagosur. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së shtunës, kur një person hapi zjarr ndaj kalimtarëve nga automjeti me të cilin po lëvizte në sheshin kryesor të qytetit, një zonë mjaft e frekuentuar nga turistët.

Sipas raportimeve të fundit të Associated Press, 13 nga 16 personat e plagosur janë dërguar në spital me dëmtime të rënda. Mes tyre ndodhen edhe dy efektivë policie, ndërsa një prej të plagosurve është shtetas i huaj. Autoritetet kanë bërë të ditur se viktimat janë katër gra dhe dy burra.

Policia lokale njoftoi se rreth orës 15:00 një person hyri me automjet në sheshin kryesor të Krakovit dhe nisi të qëllonte në mënyrë të rastësishme ndaj kalimtarëve. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentet e panikut, teksa njerëzit vrapojnë për t’u larguar dhe për të gjetur strehim nga të shtënat.

Autori i dyshuar, një shtetas polak 25-vjeçar, mbeti i plagosur gjatë përplasjes me policinë dhe më pas u arrestua. Ai ishte i veshur me rroba ushtarake dhe jelek antiplumb, ndërsa përdori një armë automatike. Gjatë kontrollit të automjetit të tij u gjetën edhe armë dhe municione të tjera.

Një tjetër detaj shqetësues i bërë publik nga autoritetet është se sulmuesi qëlloi edhe drejt një tramvaji që po kalonte pranë zonës, duke thyer xhamin e kabinës së drejtuesit. Fatmirësisht, drejtuesi dhe pasagjerët nuk u lënduan. Ai plagosi gjithashtu dy kuaj që tërhiqnin karroca turistike në shesh, por të dy kafshët arritën të mbijetonin.

Ndërkohë, autoritetet kanë konfirmuar se autori ka vepruar i vetëm dhe se nuk ka më rrezik për publikun. Kryeministri Donald Tusk po ndiqte nga afër zhvillimet, ndërsa presidenti polak ka paralajmëruar shpalljen e ditëve të zisë kombëtare më 8 dhe 9 nëntor. Edhe qyteti i Krakovit ka shpallur ditë zie, në nderim të viktimave të sulmit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit