
21 persona janë shtruar në spital dhe disa prej tyre janë në gjendje të rëndë.
Një aksident i rëndë ka ndodhur në Panama, pasi një autobus ka rënë në humnerë dhe për pasojë kanë humbur jetën të paktën 39 persona.
Reuters raporton se në autobus në momentin e aksidentit ishin duke udhëtuar 60 persona, ku 21 prej tyre u shtruan në spital, me disa prej tyre të plagosur rëndë.
Autobusi, që transportonte emigrantë që kishin udhëtuar përmes Darien Gap, një zonë e rrezikshme e xhunglës që lidh Kolumbinë me Amerikën Qendrore, po shkonte drejt një vendstrehimi të vendosur në provincën bregdetare perëndimore të Chiriqui, që kufizohet me Kosta Rikën.
Autoritetet e migracionit në Panama e konsiderojnë këtë ngjarje aksidentin më të rëndë të migracionit në histori.
Sa i përket kombësisë së viktimave autoritetet e migracionit nuk dhanë detaje, duke thënë se fillimisht do të komunikonin me të afërmit dhe ambasadat përkatëse të pasagjerëve.
Vitin e kaluar, një rekord prej 248,000 emigrantësh kaluan Darien Gap, shumica prej tyre venezuelianë. Një politikë e re, më e rreptë e SHBA-së për migracionin ka rezultuar në kthimin e shumë njerëzve në Panama, ku shpesh nuk mund të përballojnë transportin për në Venezuelë.