Pandemia Covid, do të ndikojë në shtrëngimin e kushteve të kredisë

Pandemia Covid, do të ndikojë në shtrëngimin…

Kreditimi i ekonomisë do të përkeqësohet më tej me pandeminë Covid.

Depratamenti i Poltikës Monetare në Bankën e Shqipërisë ka analizuar se pandemia do të ndikojë në përkeqësimin e mëtejshëm të bilanceve të sektorit real, do të rrisë rrezikun e kredisë dhe mund të çojë në uljen e oreksit për kredidhënie nga sektori bankar.

Po kështu, pasojat e forta që pandemia Covid-19 ka dhënë në ekonomitë dhe në tregjet ndërkombëtare, mund të çojnë edhe në shtrëngim të politikave të kreditimit të diktuara nga bankat mëma për një pjesë të bankave me kapital të huaj në Shqipëri.

Rezultatet e vrojtimit të aktivitetit kreditues kanë dhënë sinjalet e para se shtimi i pasigurisë ka ndikuar si në rënien e fortë të kërkesës për kredi, ashtu edhe në shtrëngimin e standardeve.

Masat e deritanishme të marra nga qeveria për ofrimin e një garancie shtetërore dhe norma interesi preferenciale për kreditimin e bizneseve, janë instrumente të nevojshme për të zbutur rrezikun e krijuar dhe për të nxitur gatishmërinë e bankave në kreditim. Përshkallëzimi në kahun negativ i situatës mund të kërkojë zgjerimin e mëtejshëm të tyre.

Aktiviteti kreditues ka shfaqur ngadalësim të ritmeve të rritjes në tremujorin e parë të vitit, duke shënuar një rritje mesatare prej 7%, kundrejt normës 7.8% të shënuar një tremujor më parë.

Në linjë me ecurinë e aktivitetit ekonomik, ky ngadalësim pasqyroi tkurrjen e kreditimit në muajin mars, çka e zbriti normën vjetore të rritjes së kredisë në nivelin 6.4%. Në fund të tremujorit të parë 2020, raporti i kredisë për sektorin privat ndaj PBB-së shënoi rritje në 38.1%, rreth 1.4 pikë përqindje më i lartë se niveli i fundvitit 2019. /Monitor.al

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit