Momente frike kanë përjetuar pasagjerët e një fluturimi të kompanisë Ryanair, që ishte nisur nga aeroporti “Maqedonia” në Selanik me destinacion Mynihun, pasi avioni u përball me një incident teknik vetëm pak minuta pas ngritjes.
Sipas informacioneve paraprake, teksa avioni fluturonte në një lartësi prej rreth 6.000–6.500 këmbësh, ekuipazhi konstatoi një problem teknik në njërin prej motorëve. Piloti aktivizoi menjëherë procedurat e emergjencës dhe vendosi të kthehej në aeroportin e Selanikut.
Gjatë fluturimit, pasagjerët raportuan se dëgjuan një zhurmë të fortë, ndërsa një nga dritaret e avionit u dëmtua, duke shkaktuar dekompresion në kabinë. Si pasojë, maskat e oksigjenit ranë automatikisht dhe në kabinë u krijuan momente paniku.
Më i dëmtuari ishte pasagjeri që ndodhej pranë dritares së prekur. Pas uljes së sigurt në Selanik, ai u mor nga një ambulancë e shërbimit të urgjencës EKAB dhe u transportua në spitalin AXEPA. Bëhet fjalë për një shtetas serb, 61 vjeç, i cili pësoi dëmtime në qafë.
Më pas, pasagjerët vijuan udhëtimin drejt Mynihut me një avion tjetër, ndërsa autoritetet greke dhe kompania Ryanair kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e incidentit.
<iframe src=”https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=476&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Freel%2F1048836737580555%2F&show_text=false&width=267&t=0″ width=”267″ height=”476″ style=”border:none;overflow:hidden” scrolling=”no” frameborder=”0″ allowfullscreen=”true” allow=”autoplay; clipboard-write; encrypted-media; picture-in-picture; web-share” allowFullScreen=”true”></iframe>