Pano Ruçi, babai i të ndjerit Denis Ruçi, një nga viktimat e aksidentit tragjik të trenave në Tempi, është shtruar sot në Spitalin Shtetëror të Nikeas në Greqi, pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore. 48-vjeçari ndodhet në ditën e 19-të të grevës së urisë dhe ka humbur rreth 10 kilogramë që përbën 8.9% të peshës trupore. Ai është paraqitur me lodhje ekstreme, përgjumje, episode të përsëritura hipoglicemie dhe mpirje të gjymtyrëve të poshtme.
Sipas raportimeve të mediave greke dhe njoftimeve zyrtare të spitalit, mjekët vlerësojnë se Ruçi është në rrezik serioz për ndërlikime të mëtejshme shëndetësore, duke marrë parasysh edhe historikun e tij mjekësor me hipertension, aritmi kardiake, vaskulopati periferike dhe apne gjumi. Megjithatë, ai vazhdon të refuzojë shtrimin e plotë në spital dhe pohon se nuk do të ndërpresë grevën derisa kërkesa e tij të merret seriozisht.
Protesta e tij është lidhur me dyshimet për identitetin dhe shkaqet e vdekjes së të birit. Ruçi kërkon zhvarrosjen e trupit të Denis Ruçit, duke pretenduar se në arkivol nuk ndodhet ai. Gjykata e Larisës ka pranuar kërkesën dhe procesi i zhvarrosjes do të zhvillohet javën e ardhshme, pas kërkesës zyrtare të paraqitur nga avokatja e tij. Në ditët e mëparshme, ai ka përjetuar lodhje ekstreme, përgjumje, si dhe episode hipoglicemie kufitare dhe të përsëritura, dhe mpirje në gjymtyrët e poshtme.
Vetë Ruçi deklaron se “nuk ka ndërmend të ndalojë së abstenuari nga ushqimi derisa kërkesa e tij të plotësohet”. Ai gjithashtu refuzon të shtrohet në spital.