
Në fjalimin e tij të parë zyrtar përpara kardinalëve, Papa i ri Leo XIV e cilësoi inteligjencën artificiale si një nga rreziqet më të mëdha për njerëzimin. Ai theksoi se Kisha duhet të jetë në krye të përpjekjeve për të mbrojtur dinjitetin njerëzor, drejtësinë dhe të drejtat e punëtorëve në epokën e re të teknologjisë.
Papa i ri tha se kishte zgjedhur emrin “Leo” në nder të Papa Leo XIII, i cili në fund të shekullit XIX mbrojti të drejtat e punëtorëve gjatë revolucionit industrial. Me enciklikën e famshme Rerum Novarum të vitit 1891, Papa Leo XIII hodhi themelet e doktrinës sociale katolike moderne.
Në fjalën e tij, Papa Leo XIV e krahasoi sfidën e inteligjencës artificiale me atë të revolucionit industrial dhe paralajmëroi për ndikimin e saj potencialisht shkatërrues në marrëdhëniet njerëzore dhe vendimmarrjen morale.
Kjo vijon linjën e paralajmërimeve të Papa Françeskut, i cili në fund të pontifikatit të tij kishte kërkuar një traktat ndërkombëtar për të rregulluar zhvillimin e AI, duke paralajmëruar se teknologjitë e fuqishme nuk duhet të zëvendësojnë ndjeshmërinë, mëshirën dhe përgjegjësinë njerëzore.
Ndryshe nga papët e mëparshëm, Leo XIV u dha fjalën kardinalëve për të shprehur mendimet dhe shqetësimet e tyre pas fjalimit, në një format më të hapur dhe bashkëbisedues. Ai i përshëndeti personalisht të gjithë kardinalët në përfundim të takimit.
Papa Leo XIV, i lindur në SHBA me emrin Robert Prevost, u zgjodh Papë këtë të enjte pas vetëm katër raundesh votimi, një rezultat i rrallë për nga shpejtësia. Ai është Papa i parë amerikan në histori, duke kapërcyer një tabu shekullore për shkak të statusit superfuqi të SHBA-ve.
Prevost ka shërbyer për dekada si misionar dhe ipeshkëv në Peru dhe që prej vitit 2023 drejtonte zyrën e ipeshkëve në Vatikan.