Papërgjegjshmëria e pushuesve në Valbonë: Hanë e pinë, por mbeturinat s’i marrin me vete

Papërgjegjshmëria e pushuesve në Valbonë: Hanë e…

Një qytetar i është drejtuar JOQ Albania për të denoncuar ndotjen e lumit të Valbonës dhe ambienteve përreth tij nga disa pushues.

Sipas qytetarit, gjatë një vizite të bërë pak ditë më parë në Valbonë, ai ka konstatuar një numër të madh pushuesish. Ai thekson se prania e turistëve është një gjë pozitive dhe se të gjithë janë të mirëpritur në Shqipëri, por problem mbetet sjellja e papërgjegjshme e disa prej tyre ndaj mjedisit.

“Disa prej tyre mbeturinat që merrnin me vete i linin në lumë dhe në ambientet përreth”, shprehet qytetari.

Ai kërkon që Bashkia e Tropojës të marrë masa ndaj personave që ndotin ambientin, përfshirë vendosjen e gjobave, ndërsa sugjeron që të ardhurat nga penalitetet të përdoren për pastrimin e lumit të Valbonës.

Sipas denoncuesit, situata është veçanërisht shqetësuese pasi një pjesë e mbetjeve mund të përfundojë më tej në liqenin e Komanit. Një tjetër shqetësim i ngritur është prania e shisheve të qelqit të thyera në zonë, të cilat përbëjnë rrezik për pushuesit, veçanërisht për fëmijët.

“Valbona është një nga bukuritë më të mëdha natyrore të Shqipërisë dhe duhet ta mbrojmë të gjithë. Turistët dhe pushuesit janë të mirëpritur, por respekti për natyrën duhet të jetë detyrim për çdo njeri”, përfundon qytetari.

Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse institucionet vendore do të marrin masa konkrete për monitorimin, pastrimin dhe mbrojtjen e lumit të Valbonës.

Denoncimi i qytetarit:

Përshëndetje JOQ, Kisha një shqetësim. Isha para pak ditësh në lumin e Valbonës dhe kishte shumë pushues nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Kjo është një gjë shumë e mirë dhe të gjithë janë të mirëpritur gjithmonë, por problemi ishte se disa prej tyre mbeturinat që merrnin me vete i linin në lumë dhe në ambientet përreth.

Bashkia e Tropojës duhet të marrë masa për këta pushues të papërgjegjshëm, duke vendosur gjoba për ndotjen e ambientit. Me të ardhurat nga gjobat mund të organizohet pastrimi i gjithë lumit të Valbonës, sepse është bërë shumë keq nga mbeturinat. Për më tepër, shumë prej tyre përfundojnë më pas në liqenin e Komanit. Më e keqja është se kishte edhe shishe qelqi të thyera. A nuk mendojnë këta njerëz se nesër një fëmijë, i tyre apo i dikujt tjetër, mund të lëndohet ose të pritet nga ato shishe? Valbona është një nga bukuritë më të mëdha natyrore të Shqipërisë dhe duhet ta mbrojmë të gjithë. Turistët dhe pushuesit janë të mirëpritur, por respekti për natyrën duhet të jetë detyrim për çdo njeri.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit