Papunësia e të rinjve dhe njoftimet për vende pune, reale apo thjesht marketing?

Papunësia e të rinjve dhe njoftimet për…

Një shqetësim i ngritur nga studentë dhe të rinj që janë në kërkim të një vendi pune lidhet me njoftimet për vende vakante që publikohen në rrjetet sociale por s’ofrojnë asnjë lloj pune në të vërtetë.

Në disa raste këto njoftime për punësim shfaqen në rrjete sociale ose vendosen jashtë bizneseve dhe vazhdojnë të qëndrojnë aty për ditë të tëra. Por kur personat e interesuar telefonojnë, dërgojnë mesazh apo shkojnë personalisht për të pyetur, marrin përgjigjen se vendi i punës është tashmë i zënë ose mbeten edhe pa përgjigje fare për ditë e javë të tëra.

Kjo situatë ka krijuar pikëpyetje te personat që janë realisht në kërkim të punës.

A janë të gjitha njoftimet që shohim vende pune reale dhe aktualisht të disponueshme, apo mbahen aktive si reklama boshe edhe pasi pozicioni është plotësuar?”

Për studentët që kërkojnë të punojnë paralelisht me studimet dhe të sigurojnë të ardhura, një njoftim i papërditësuar nuk është thjesht një detaj. Telefonatat, mesazhet dhe ‘intervistat’ në biznese u marrin kohë dhe krijojnë pritshmëri për një mundësi që mund të mos ekzistojë kurrë.

“Vetëm të na thonë që vendi është zënë, që ta dimë edhe ne çfarë të bëjmë. Nuk është problem nëse një vend pune është plotësuar, por njoftimi duhet të hiqet ose të bëhet e ditur që pozicioni nuk është më vakant”, shprehet një prej të rinjve që ka hasur këtë situatë.

Shqetësimi ngre një diskutim më të gjerë mbi mënyrën se si publikohen dhe përditësohen njoftimet për punësim. Në një kohë kur shumë të rinj kërkojnë punë dhe konkurrojnë për një numër të kufizuar mundësish, transparenca mbi vendet realisht vakante bëhet edhe më e rëndësishme.

Të paktën një gjë do të ishte e mjaftueshme për ata që kërkojnë punë: në momentin që pozicioni plotësohet, njoftimi të hiqet ose të bëhet e ditur qartë se vendi nuk është më vakant. Kështu, ata që janë në kërkim të një pune mund të mos humbasin kohë dhe të vazhdojnë të kërkojnë mundësi të tjera reale.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit