Mbrëmjen e së enjtes, qyteti i Laçit u trondit nga një atentat me armë zjarri, ku mbeti i vrarë 40-vjeçari Ilir Gjini. Policia ka shpallur në kërkim Emiljan Sutin si autor të dyshuar të ngjarjes, ndërsa grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe kapjen e tij.
Sipas burimeve hetimore, pista kryesore lidhet me një konflikt të mëparshëm mes viktimës dhe autorit të dyshuar. Dy burrat ishin fqinj në të njëjtën lagje në Laç dhe mes tyre kishte pasur përplasje të vazhdueshme. Mësohet se rreth një muaj më parë ata ishin konfliktuar sërish, ndërsa mbrëmjen e ngjarjes dyshohet se kanë pasur një debat verbal në qendër të qytetit, pak para të shtënave me armë.
Në vendin e ngjarjes hetuesit kanë sekuestruar një pistoletë, e cila është dërguar për ekspertizë balistike. Hetimet pritet të përcaktojnë nëse arma i përkiste autorit të dyshuar, viktimës apo një personi tjetër, ndërsa policia po punon për zbardhjen e plotë të motivit dhe dinamikës së atentatit.