Tregu i punës në Shqipëri po përjeton një situatë të pazakontë, ku pavarësisht rritjes së vazhdueshme të vendeve të lira të punës, mungesa e fuqisë punëtore vazhdon të thellohet. Kësaj sfide i shtohet edhe fakti që rritja e pagave ka filluar të ngadalësohet ndjeshëm, duke krijuar një pabarazi mes ofertës dhe kërkesës për punë.
Sipas raportit të Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e parë të vitit 2025, shtrëngimi i fuqisë punëtore është bërë edhe më i dukshëm. Një numër i konsiderueshëm i bizneseve, që nga sektori i ndërtimit deri tek teknologjia e informacionit, po raportojnë vështirësi serioze në gjetjen e punëtorëve të kualifikuar. Aktualisht, rreth 5600 vende pune mbeten të lira, duke përfshirë pozicione si magazinier, bojaxhi, ekonomist, mjek, punonjës hotelerie dhe specialistë të teknologjisë së informacionit.
Një nga faktorët kryesorë që po ndikon në këtë situatë është emigrimi i vazhdueshëm i fuqisë punëtore, veçanërisht i punonjësve të kualifikuar, drejt vendeve europiane me paga më të larta dhe kushte më të mira pune. Nga ana tjetër, edhe ata që qëndrojnë në vend nuk po inkurajohen nga një rritje e ndjeshme e pagave. Banka e Shqipërisë raportoi se në fund të vitit 2024 rritja e pagave është ngadalësuar, kryesisht në sektorin e informacionit dhe komunikacionit.
Një faktor shtesë që ndikon në stagnimin e rritjes së pagave është edhe kostot e larta operacionale për bizneset, të cilat për shkak të inflacionit dhe krizave të ndryshme ekonomike nuk janë të gatshme ose të afta të ofrojnë rritje të ndjeshme të pagave.
Në këto kushte, qeveria dhe sektori privat duhet të bashkëpunojnë për të krijuar stimuj ekonomikë që nxisin qëndrimin e fuqisë punëtore brenda vendit dhe për të balancuar kërkesën me ofertën në tregun e punës. Nxitja e investimeve në edukim dhe trajnim profesional, rritja e pagës minimale dhe krijimi i kushteve më të favorshme për bizneset mund të jenë disa nga zgjidhjet për të adresuar këtë problem që po bëhet gjithnjë e më shqetësues.