Ditën e djeshme, një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një parakalim të rrezikshëm në autostradën Durrës-Tiranë.
Ai tregoi se si pasi kishte kaluar Vorën dy automjete kryen një manovër të rrezikshme në autostradë ndërkohë që ai ndodhej në automjet së bashku me dy fëmijët e tij të vegjël.
“Një parakalim gati na mori jetën. Isha me dy fëmijë të vegjël në makinë. Ecën si të çmendur, njëri me targa Kosove, njëri me targa shqiptare.”
Pas publikimit të pamjeve, ka reaguar Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, e cila bën me dije se shërbimet e Policisë Rrugore kanë identifikuar drejtuesit e të dy automjeteve.
Për shkeljen e kryer, ndaj secilit prej drejtuesve është vendosur masë administrative në vlerën 60 mijë lekë.
Rasti vë në pah edhe një herë rrezikun që paraqesin manovrat e rrezikshme në autostrada, ku një parakalim i gabuar mund të ketë pasoja të rënda për drejtuesit dhe pasagjerët.