Paratë “avulluan” nga llogaritë, Raiffeisen Bank po kthehet në Suden digjitale

Paratë “avulluan” nga llogaritë, Raiffeisen Bank po…

Përmendja e emrit të Sudes mjafton që çdo shqiptari t’i rikthehet vetvetiu trauma e vitit 1997, ajo ndjesia e lemerishme kur kupton se paratë që i kishin besuar një institucioni nuk janë më aty ku mendonin se ishin të sigurta. Sot, kuptohet mirë se nuk jemi më në kaosin e viteve ’90 dhe Raiffeisen Bank nuk është një piramidë financiare e ngritur mbi rëra imagjinare, por një gjigant bankar me rrjetin më të gjerë në vend. Por pikërisht sepse pesha e këtij emri është e madhe, ajo që ndodhi me llogaritë e qytetarëve nuk mund të mbyllet kurrë me një lëvizje apo me një deklaratë të ftohtë e burokratike që fshihet pas togfjalëshit “problem teknik”.

Raportimet e qytetarëve vizatuan një skenë të plotë absurdi financiar që mbjell panik në çdo vatër familjare. Pas një blerjeje të zakonshme prej vetëm 1,100 lekësh, balanca e klientit shfaqej menjëherë 50 mijë lekë më e ulët, sikur një dorë e padukshme të kishte fshirë kursimet e muajit me një të rënë të lapsit. Ankesat flisnin për diferenca që shkonin në qindra euro të zhdukura nga llogaritë e kursimeve, ndërsa absurditeti arriti kulmin kur edhe llogaritë me zero lekë përfunduan të zhytyra në minus. Dhe akoma më keq kur qytetarët morën masa për të bllokuar llogaritë paratë vazhonin të zhdukeshin. Imagjinoni për një moment tmerrin e një kryefamiljari që përballet me atë ekran: është fillimi i muajit, llogaria duhet të mbajë rrogën, lekët e ushqimeve, qiranë e shtëpisë apo barërat e prindërve të sëmurë, dhe në një moment gjithçka fshihet. Në vend të një sqarimi qytetarët u lanë përballe heshtjes, pasigurisë dhe linjave telefonike të mbingarkuara ku klithma e vetme e mbetur ishte: “Ku i keni çuar paratë e mia?”

Deklarata e mëvonshme e Raiffeisen Bank fliste se bëhej fjalë për një avari të përkohshme gjatë procesimit të kartave, se nuk kishte pasur sulm kibernetik dhe se çdo balancë u korrigjua, është plotësisht e pamjaftueshme për të shëruar goditjen e rëndë që mori besimi i publikut. A duhet të besojmë vërtet se kjo bank nuk ka rënë pjesë e një sulmi kibernetik dhe se paratë që ne ruajm në të janë të sigurta dhe nuk do të përfundojnë në duart e ndonjë Sudeje që punon në Bankë?

Banka e Shqipërisë dhe vetë Raiffeisen Bank kanë detyrimin moral dhe ligjor t’i japin publikut përgjigje të prera e pa eufemizme: Sa mijëra llogari u prekën në të vërtetë? Çfarë garancie teknike e strukturore ekziston që ky makth nuk do të përsëritet nesër përsëri? Pse sistemi nuk u bllokua automatikisht për të mbrojtur klientët, por u lejua t’u shfaqte atyre balanca imagjinare negative? Për një bankë me miliarda euro portofol, 500 euro të tjetërsuara apo të pezulluara për disa orë janë thjesht një zë mikroskopik në bilancet vjetore, por për një shqiptar ato 500 euro janë një muaj jetë, janë bukë, ilaçe dhe pagesa. Besimi te bankat nuk rindërtohet me parulla të ftohta PR-i apo me një “na falni” të sforcuar, por mbahet duke treguar me transparencë absolute pse paratë u zhdukën nga syte e qytetareve në radhë të parë.

Ky nuk është rasti i parë që kjo bankë përballet me skandale të ndryshme, por pyetja që qëndron pezull është a po ktheht një nga bankat më të mëdha në vend në një Sude moderne?

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit