Paratë e emigracionit dominojnë mbi investimet e huaja, ndërsa një në katër familje shqiptare vuan për mbijetesë

Paratë e emigracionit dominojnë mbi investimet e…

Çdo vit, emigracioni sjell mesatarisht 2 mijë euro për familje në Shqipëri, por 25% e tyre mbijetojnë vetëm falë këtyre dërgesave

Remitancat vazhdojnë të mbeten një shtyllë thelbësore për ekonominë shqiptare, duke e nxjerrë në pah varësinë e thellë të shumë familjeve nga të afërmit jashtë vendit. Të dhënat e analizuara nga ekspertë ekonomie, zbulojnë se për vitin 2025, shqiptarët vazhdojnë të përballojnë jetesën falë ndihmave që vijnë nga emigracioni.

Sipas përllogaritjeve, një familje shqiptare përfiton rreth 2 mijë euro në vit nga të afërmit e saj që jetojnë dhe punojnë jashtë. Ky nivel dërgesash nuk përfaqëson vetëm një shtesë të të ardhurave, por shpesh është burimi i vetëm financiar për mijëra familje.

Statistikat e nxjerra nga të dhënat e vitit 2018 tregojnë një realitet alarmues: një në katër familje që kanë marrë remitanca, i kishin ato si burimin e vetëm të mbijetesës. Në përkthim, kjo do të thotë se rreth 6% e totalit të familjeve shqiptare varet vetëm nga paratë që u dërgohen nga jashtë.

Kjo mbështetje e jashtme ka luajtur një rol kritik në përballimin e varfërisë ekstreme, veçanërisht në zonat rurale dhe ato të papuna të vendit. Pa këto të ardhura, një pjesë e madhe e popullsisë do të rrezikonte rënien në kushte të thella varfërie.

Për të kuptuar më mirë peshën e remitancave, krahasimi me investimet e huaja në vend është domethënës. Gjatë periudhës 1992–2002, vlera totale e investimeve të huaja në Shqipëri ishte rreth 800 milionë dollarë. Ndërkohë, remitancat që kanë hyrë në vend në të njëjtën periudhë janë vlerësuar në 4 miliardë dollarë.

Kjo do të thotë se remitancat kanë qenë afro pesë herë më të larta sesa investimet e huaja. Ky disproporcion tregon qartë rolin mbizotërues të dërgesave familjare në ekonominë kombëtare gjatë dekadave të tranzicionit.

Në vend që të orientohej drejt një zhvillimi të qëndrueshëm përmes punësimit dhe investimeve, Shqipëria është mbështetur më shumë te diaspora për të mbajtur nën kontroll nivelin e varfërisë.

Edhe sot, pas më shumë se tre dekadash, emigracioni nuk shihet vetëm si një fenomen social, por si një zgjidhje ekonomike për shumë familje që nuk kanë akses në mundësi punësimi dhe të ardhura të qëndrueshme brenda vendit.

Sipas vlerësimeve ekonomike, ky model është jo i qëndrueshëm dhe mund të dëmtojë ndjeshëm zhvillimin afatgjatë të vendit. Kur një pjesë kaq e madhe e popullsisë nuk gjeneron të ardhura brenda vendit, ekonomia nuk krijon dot as bazën e saj të brendshme.

Roli i remitancave, megjithëse shpëtimtar për familjet në nevojë, duhet parë si një alarm për autoritetet që të hartojnë politika që nxisin investimet, punësimin dhe mbështetjen direkte për ekonominë lokale.

Në mungesë të një reforme strukturore që garanton burime të qëndrueshme jetese, vendi do të vazhdojë të mbështetet tek dërgesat nga jashtë, ndërsa brenda kufijve, mungesa e perspektivës do të shtyjë gjithnjë e më shumë të rinjtë drejt emigracionit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit