Fluksi i madh i euros që po qarkullon në tregun valutor vendas po vë në vështirësi serioze Bankën e Shqipërisë, e cila, pavarësisht përpjekjeve për të ndërhyrë, nuk ka arritur të ndalojë zhvlerësimin e monedhës europiane. Sipas të dhënave zyrtare, Banka Qendrore ka tërhequr nga tregu 137.6 milionë euro vetëm gjatë periudhës 2 maj – fund qershori 2024, në përpjekje për të ruajtur stabilitetin financiar të vendit.
Në një deklaratë, Banka e Shqipërisë konfirmon se ka ndërhyrë përmes blerjes së euros për të përmbushur objektivat e saj të politikës monetare dhe stabilitetit financiar, por rezultatet nuk kanë qenë të mjaftueshme. Euro ka pësuar një zhvlerësim të ndjeshëm prej 4% ndaj lekut që nga muaji maj, kur këmbehej me 100-101 lekë, ndërsa aktualisht ka zbritur në 98 lekë.
Pse po zhvlerësohet euro?
Institucionet shtetërore argumentojnë se turizmi dhe investimet e huaja kanë sjellë një fluks të madh valute, veçanërisht euro dhe dollarë, duke ndikuar në rënien e vlerës së monedhave të huaja përballë lekut. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se një rol të rëndësishëm në këtë zhvlerësim ka paraja informale që po qarkullon në treg.
Ky zhvlerësim i euros po ndikon ndjeshëm në ekonominë e vendit. Eksportuesit janë ndër më të prekurit, pasi humbjet në të ardhurat e tyre llogariten në miliona lekë, ndërkohë që edhe vetë arka e shtetit është goditur. Ndërkohë, përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të stabilizuar kursin kanë përfshirë blerjen e mëtejshme të valutës. Deri më tani, janë blerë 101.6 milionë euro për rritjen e rezervës valutore, ndërsa gjatë periudhës janar-qershor janë blerë gjithsej 134.2 milionë euro, raportojnë mediat.
Banka Qendrore duke përfshirë edhe ndërhyrjet për të shmangur zhvlerësimin e euros, deri tani ka tërhequr nga tregu 271.8 milionë euro vetëm në gjysmën e parë të vitit. Megjithatë, pavarësisht këtyre përpjekjeve, zhvlerësimi i euros vazhdon, duke krijuar sfida të mëdha për ekonominë shqiptare dhe duke vënë në diskutim efektivitetin e politikave monetare të Bankës së Shqipërisë.