Parkimi i QSUT-së kthehet në makth për qytetarët, kaos dhe kolaps i përditshëm

Parkimi i QSUT-së kthehet në makth për…

Parkimi në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” vijon të jetë një problem shqetësues për qytetarët. Radhët e gjata të automjeteve dhe mungesa e një menaxhimi efikas të qarkullimit po shkaktojnë vonesa të konsiderueshme për pacientët dhe familjarët e tyre.

Një qytetar ka dërguar në redaksinë tonë një video duke treguar se prej më shumë se 30 minutash ka mbetur i bllokuar në parkimin e spitalit.

“Ju lutem, shpërndajeni këtë video. Kemi 30 minuta të bllokuar në parkimin e Spitalit ‘Nënë Tereza’ dhe makinat nuk po lëvizin”, thuhet në apelin e qytetarit.

Problematika nuk është e re. Çdo ditë, veçanërisht në orët e para të mëngjesit, ambientet e QSUT-së përballen me fluks të lartë automjetesh. Qytetarët raportojnë se pritja për të dalë nga spitali mund të zgjasë deri në 30 minuta, ndërsa një prej shkaqeve të radhëve, sipas tyre, është vonesa në pagesën e tarifës së parkimit.

Situata është veçanërisht shqetësuese për shkak të funksionit që ka kjo qendër spitalore, e cila pret çdo ditë një numër të madh pacientësh dhe shërben edhe si pikë kryesore për lëvizjen e autoambulancave.

Bllokimi i qarkullimit në këto ambiente rrezikon të krijojë pengesa edhe për mjetet e emergjencës, ku çdo minutë mund të jetë vendimtare për jetën e një pacienti.

Qytetarët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për të përmirësuar menaxhimin e parkimit dhe për të shmangur situata të tilla, ku pacientët dhe familjarët e tyre, përveç shqetësimit shëndetësor, përballen edhe me vështirësinë për të hyrë apo dalë nga spitali.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit