Parlamenti i Shqipërisë, një sallë "bilbilash" e jo një sallë ligjvënësish!

Parlamenti i Shqipërisë, një sallë “bilbilash” e…

Parlamenti i Shqipërisë e ka humbur qëllimin e tij të vërtetë, qëllimin që ka një vend i pavarur me institucione demokratike. Në sallën më të rendësishme të Shqipërisë, ku merren vendimet për jetën e shqiptarëve, ku caktohen taksat, pensionet, pagat, ku diskutohet si do të ndahet buxheti i shtetit e ku miratohen ligje për të rregulluar jetën e shqiptarëve, bëhet çdo javë shfaqje teatrale.

Kjo shfaqje nuk ka nisur sot, por ka nisur që kur filloi lakmia për pushtet mes dy partive më të mëdha të vendit, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.

Në Kuvend nisin diskutimet për ligjet e përfundojnë në diskutime fyese personale mes deputetëve, zhurmë me bilbila e megafona, apo edhe deri te dhuna fizike mes deputetëve, si të ishin në një cepë rruge, a qoshe pallati. Kjo situatë nuk po ndodh vetëm sot, por ka ndodhur për 32 vite me radhë.

Deputetët duket se nuk e kanë për qëllim të përfaqësojnë shqiptarët me mandatin e tyre, por si e si të luftojnë për të përfituar para nga buxheti i shtetit me kompanitë e vëllait, babait, kushëririt, kunatit, baxhanakut, apo shokut të ngushtë.

Kjo luftë bëhet me bilbila, me zhurmë dhe me debate shterpë që nuk lejojnë zhvillimin normal të diskutimeve në seancën plenare. Kur demokratët ishin në pushtet, bilbilat e megafonët i kishin socialistët. E tani që socialistët janë në pushtet, bilbilat dhe megafonat i kanë demokratët. Asgjë nuk ka ndryshuar, përkundrazi shfaqet teatrale sot janë edhe me regji, me ngjyra të bukura dhe me kamera “Full HD”.

Ndërkohë shqiptarët përballojnë rritjen e çmimeve të ushqimeve, rritjen e naftës, inflacionin dhe korrupsionin që po i varfëron çdo vit e më shumë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit