
Konflikti midis Izraelit dhe Palestinës po shkakton rikonfigurime të marrëdhënieve të shteteve në botë me Izraelin. Zyrtarë të qeverisë Skoceze kanë dënuar sulmin e Izraelit dhe kanë bërë thirrje për krijimin e korridoreve humanitare për të plagosurit dhe për ndihmat për popullsinë civile.
Parlamenti i Skocisë është kritikuar nga zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar për shkak se ka refuzuar të valëvisë flamurin jashtë godinës për gjest solidariteti me Izraelin.
Parlamenti i Afrikës së Jugut ka votuar në favor të një mocioni që bën thirrje për mbylljen e ambasadës së Izraelit në kryeqytetin Pretoria në mes të tensioneve në rritje midis dy vendeve për sulmin Izraelit në Gaza duke ja kaluar këtë votim presidentit të vendit për të marrë vendimin sipas ligjeve të vendit.
Mocioni i paraqitur nga partia e majtë opozitare ‘Luftëtarët e Lirisë Ekonomike’ (EFF) u mbështet nga partia ‘Kongresi Kombëtar Afrikan’ në pushtet dhe u kundërshtua nga partia ‘Aleanca Demokratike’ (DA) me shumicë të bardhë, e cila është kryesisht pro-izraelite, votimi në parlament doli me rezultatin e 248 vota pro dhe 91 vota kundër.
Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa ka thënë më parë se vendi i tij beson se Izraeli po kryen krime lufte dhe gjenocid në Rripin e Gazës të rrethuar, ku mijëra palestinezë janë vrarë.
Votimi vjen pasi Izraeli njoftoi se po tërhiqte ambasadorin e tij Eli Belotserkovsky nga kryeqyteti i Afrikës së Jugut me pretentimin e konsultimeve.