"Parlamenti nuk është çadër cirku", Gjermania vendos të mos valëvitë flamurin e LGBTQ+ mbi Reichtag

“Parlamenti nuk është çadër cirku”, Gjermania vendos…

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka mbështetur vendimin për të mos ngritur flamurin e komunitetit LGBTQ+ mbi ndërtesën e Reichstag-ut gjatë festimeve të “Christopher Street Day” (CSD) në Berlin, duke deklaruar se “Bundestagu nuk është një çadër cirku ku ngrihen flamuj sipas qejfit”.

Vendimi u mor nga Julia Klöckner, presidentja e Dhomës së Ulët të Parlamentit (Bundestagut), e cila theksoi se flamuri i ylberit ngrihet vetëm më 17 maj, Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë. Në të gjitha ditët e tjera, mbi ndërtesë valëviten vetëm flamuri gjerman dhe ai i Bashkimit Europian.

“Secili mund të valëvijë çfarë flamuri të dëshirojë në shtëpinë e vet”, tha Merz për mediat, “por kur bëhet fjalë për parlamentin gjerman, nuk duhet të shndërrohet në një platformë simbolike për çdo kauzë.”

Vendimi ka ngjallur kritika nga partitë opozitare si të Gjelbrit dhe të Majtët, të cilët e quajnë këtë një hap pas në mbështetjen ndaj diversitetit.

Flamuri i LGBTQ+ ishte ngritur për herë të parë mbi Reichstag në vitin 2022, si simbol i përfshirjes dhe respektit ndaj komunitetit LGBTQ+. Por këtë vit, presidenca e re e parlamentit ka vendosur të mos e përsërisë këtë akt simbolik.

CSD (Christopher Street Day) është një nga ngjarjet më të mëdha të krenarisë në Gjermani, që përkujton protestat e Stonewall në Nju Jork më 1969, të cilat shënuan fillimin e lëvizjes për të drejtat e homoseksualëve.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit