'Partizanin' e 'paralizon' koronavirusi, por Tirana është me mendje tek titulli

‘Partizanin’ e ‘paralizon’ koronavirusi, por Tirana është…

Kur rivali historik, “Partizani” është  goditur keqas nga pandemia e COVID-19, Tirana duket se i është futur seriozisht punës për rezultatin pozitiv… por në fushën e gjelbër.

Trajneri i Tiranës, Egbo, një ditë më parë në konferencën për shtyp, kur u pyet mbi rastet pozitive tek “Partizani”, e shpërfilli situatën në klubin rival.

“Ajo nuk është puna ime. Rregulloja e thotë qartë që nuk e ndalon zhvillimin e ndeshjes. Ndeshja vazhdon. Lojtarët e infektuar izolohen”,- deklaroi dje Egbo.

Sipas tij, “Çdo lojtar tjetër qofshin ata edhe të akademisë mund të aktivizohen pa problem. Janë lojtarë të klubit qoftë të Tiranës apo Partizanit”.

Në shtëpinë e “bardhebluve” kjo është çështja e fundit në aspektin sportiv, për të cilën duhet të shqetësohen.

Me apo pa grupin e plotë, pozitiv apo jo rivali i tyre, “bardheblutë” kërkojnë të fitojnë me çdo kusht derbin e fundit të sezonit, kjo për shumë arsye.

Hetimi

Humbja në sfidën kundër Bylis, një ndeshje që solli nisjen e një hetimi zyrtar nga FSHF-ja, si dhe humbja përballë Kukësit në kampionat, trazuan shumë kryeqytetasit.

Dy humbje radhazi në dy turne janë shumë për një ekip që po dominonte futbollin shqiptar në çdo aspekt.

Ata kërkojnë të fitojnë këtë sfidë për të qetësuar tifozët, për të qetësuar drejtuesit, si dhe për të mbyllur çështjen “titull”.

Çdo rezultat tjetër përveç fitores në këtë sfidë, do të shtonte dhe më shumë presionin tek Tirana.

Do të përçante dhe me shumë klubin me tifozët dhe do të vinte në pikëpyetje të gjithë sezonin.

Ndërkohë, Kukësi mbetet aty, në pritje të çdo hapi fals nga rivalët./Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit