“Pas 10 muajsh, nuk ka nisur ende zbatimi i kontratës”, AMT letër publike Bashës: Kërkojmë lista të hapura dhe debat për Kushtetutë të re

“Pas 10 muajsh, nuk ka nisur ende…

Përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit i kanë dërguar një letër kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar mes tyre rreth një vit më parë teksa kanë cituar një pikë të saj.

Sipas AMT-së, në paragrafin 5 të kësaj kontrate shkruhet se PD angazhohet për një sistem zgjedhor, që u jep mundësi qytetarëve të shprehen për përfaqësuesit e tyre dhe një reformë kushtetuese, që synon rritjen e kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve apo forcimin e llogaridhënies dhe kontrollit ndaj pushtetit.

Sipas AMT, 10 muaj pas këtij zotimi, ky konsultim nuk ka nisur ende, ndërsa mbetet më pak se një javë nga afati për miratimin e reformës zgjedhore.

“Në këto kushte, ne gjykojmë se zgjidhja e vetme është miratimi i sistemit proporcional kombëtar, me lista të hapura, si e vetmja alternativë për ndryshimin e sistemit, pa ndërhyrje në Kushtetutë”, shkruhet në reagim.

Kërkesa e plotë: I nderuar z. Basha, më 25 korrik 2019, ne, anëtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit (AMT), kemi nënshkruar një kontratë me ju, si kryetar i PD dhe Opozitës së Bashkuar. Në paragrafin 5 të kësaj kontrate shkruhet:

“Partia Demokratike angazhohet për një sistem zgjedhor, që u jep mundësi qytetarëve të shprehen për përfaqësuesit e tyre dhe një reformë kushtetuese, që synon rritjen e kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve apo forcimin e llogaridhënies dhe kontrollit ndaj pushtetit. Diskutimi mbi këtë çështje duhet të bëhet në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, duke përfshirë në hartimin e tyre përfaqësues të të gjitha grupeve të interesit dhe shoqërisë civile.”

Sot mbushen 10 muaj nga nënshkrimi i kësaj kontrate dhe ky konsultim nuk ka nisur ende, ndërsa mbetet më pak se një javë nga afati për miratimin e reformës zgjedhore. Në këto kushte, ne gjykojmë se zgjidhja e vetme është miratimi i sistemit proporcional kombëtar, me lista të hapura, si e vetmja alternativë për ndryshimin e sistemit, pa ndërhyrje në Kushtetutë.

Ne kërkojmë gjithashtu hapjen e debatit kombëtar për një Kushtetutë të re, hartimin brenda vitit dhe miratimin me referendum në pranverë 2021. ALEANCA PËR MBROJTJEN E TEATRIT

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit